E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Tryezat e Ramës me gazetarë, atentat ndaj lirisë së shtypit

Tiranë, 7 Shkurt NOA Partia Demokratike e
konsideroi sot turin në Tiranë dhe rrethe që ka nisur Edi Rama duke mbajtur
disa gazetarë në tryezat-presidium, si një atentat të vërtetë ndaj lirisë së
shtypit.

Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD doli në një
deklaratë për mediat ku vuri në dukje se ditët e fundit Edvin Kristaq Rama apo
piktori që mburret se po nxin imazhin e vendit, në një akt të pashembullt në
historinë e pluralizmit na shfaqi modelin e shtypit të presidiumit.

Mëhilli tha se përfaqësuesit e mediave që i
kontrollon 24 orë në 24 i detyroi të zënë vend në presidium pranë tij në vend
të eksponentëve të Partisë Socialiste apo aleatëve të tij, ndërsa mediat e
tjera, në trajtimin e tij cinik i la në plate duke iu dhënë përgjigje me
ngërdheshje të denja vetëm për armiqtë e fjalës së lirë.

Në këtë pikë, Mëhilli njoftoi se Partia
Demokratike, themeluese e lirisë së mediave në Shqipëri dënon këtë qëndrim të pashembullt
të z.Rama të diskriminimit ekstrem të mediave. 

PD gjithashtu u bën thirrje mediave të lira të
mos pranojnë kutizmin, për interesa të ngushta të një njeriu që mburret se po
lyen me bojë të zezë imazhin e vendit të tij, - ishte thirrja e PD nëpërmjet Mëhillit.

Ajo lëshoi alarmin se fjala e lirë, media e
lirë merr fund në qoftë se pranon të mbyllet në sëndukët apo kutitë e Edvin
Kristaq Ramës dhe pasardhësve të tjerë të bllokut.

r.b/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›