E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuvani: Plagosja e këshilltarit, tjetër provë e krizës së rëndë politike

Partia Socialiste ka reaguar pas plagosjes se këshilltarit të PS-së në Bashkinë e Vlorës duke theksuar se kjo ngjarje është një tjetër provë e krizës së rëndë politike që po kalon Shqipëria. Deputetja e PS-së Luiza Xhuvani një një konferencë për shtyp theksoi se ngjarja është një tregues i shkallës së lartë të konfliktualitetit politik, që shpeshherë, fatkeqësisht, përshkallëzohet edhe në akte të tilla dhune fizike, që rrezikojnë të marrin jetë njerëzish.
"Si deputete e qarkut të Vlorës, por mbi të gjitha si nënë, i bëj thirrje Sali Berishës, të heqë dorë nga politika e përplasjes, nga politika e konfliktit. Të heqë dorë nga gjuha e urrejtjes, nga fjalori që nxit kundërvënie dhe që për pasojë, rezulton edhe në ngjarje të tilla, si ajo e mbrëmshmja, kur Morand Hoxha, fatmirësisht shpëtoi gjallë, por që në qytetin e Vlorës dhe në të gjithë Shqipërinë la një shije të hidhur dhe përforcoi edhe më shumë ndjenjën e frikës dhe pasigurisë" theksoi Xhuvani.
Sipas saj është e pafalshme për këtë qeveri, që ngjarje si ajo e mbrëmshmja, kanë filluar të bëhen gjithmonë e më të shpeshta, duke pushtuar gjithmonë e më shumë ekranet e familjeve shqiptare.
"Por ajo çka është edhe më e rëndë, është fakti se këto ngjarje, shpeshherë fatale, që prekin qytetarë të thjeshtë por edhe përfaqësues të opozitës, mbeten të pazbardhura dhe autorët e këtyre krimeve mbeten të padënuar, të lirë për të vazhduar aktivitetin e tyre criminal" përfundoi Xhuvani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›