PD: Vrasja e 28-vjeçarit në Tiranë, e treta në një javë

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Koordinatorja e departamenteve në Partinë Demokratike, Silvi Bardhi reagoi sot lidhur me vrasjen e 28-vjeçarit mbrëmë në Tiranë.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PD, Bardhi u shpreh se, “një 28-vjeçar është vrarë mbrëmë, duke e nisur një javë të re të përgjakur për kryeqytetin e Shqipërisë”.
“Një vrasje tipike mafioze, e cila mbyllet me makinën e djegur të autorëve, është tashmë një skenar tipik për Tiranën dhe Shqipërinë”, tha Bardhi.
Bardhi u shpreh se, vrasja e Klajdi Prendit është e treta brenda një javë. “Një i ri 28-vjeçar, një nxënës 14-vjeçar dhe një biznesmen 52-vjeçar kanë humbur jetën në rrethana tragjike”, tha ajo.
Sipas saj, “të treja vrasjet i bashkon e njëjta gjë, klima e pasigurisë, mungesa e rendit, dorëzimi dhe kompromentimi i Policisë”.
“Partia Demokratike, duke i shprehur ngushëllimet familjes Prendi, siguron ata dhe të gjithë opinionin publik se një Memorandum i Rendit, Sigurisë dhe Jetës do të jetë pjesë e programit të saj elektoral për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Bardhi.
Sipas koordinatores së PD, “kthimi i sigurisë së jetës dhe rendit publik brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, siç ka ndodhur edhe në vitin 2005, është një premtim që kryhet sepse është mbajtur edhe më parë nga Qeveria Berisha”. /j.p/