PD akuza të rënda: Dade e lidhur me krimin
Në një komunikim me median, zëdhënësja Erla Mëhilli u shpreh se prej tre ditësh me rradhë me fakte të pakontestueshme mediat shqiptare provuan akuzat e mëparashme të Partisë Demokratike se djali i Arta Dades, Alban Dabulla është antar i organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. “Siç e kemi ndjekur në media Orik Shyti në një deklaratë të shpërndarë shprehet se është krenar për miqësinë e tij me Alban Dabullën, i cili nga ana e tij po në një njoftim publik për mediat deklaron se është krenar për miqësitë e shëndosha tek të cilat e ka orientuar nëna e tij e për të cilat i është mirënjohës pikërisht nënës së tij”, theksoi ajo. Sipas Mëhillit, kjo miqësi e shëndoshë është përgjegjse për vdekjen e 6 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosjen e 20 të tjerëve.“Ndërkohë që Arta Dade dhe djemtë e saj ndajnë trofetë e krimeve të shëmtuara të kësaj organizate. E janë pikërisht lidhjet me krimin dhe morali i krimit që e detyrojnë ndrikullën Dade që në emër të Edvin Kristaq Ramës, i lidhur edhe ky këmbë e krye me këtë organizatë sic faktojnë dosjet e hetimit të prokurorisë italiane, ti kërkojë Strasburgut përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Evropës, duke përfaqësuar kështu jo vullnetin e socialistëve shqiptarë por atë të fallangave terroriste”, tha më tej. Në emër të Partisë Demokratike, ajo i ka kërkuar Dades të shpjegojë për dëshmitë e fundit që faktojnë lidhjet e saj familjare me organizatën terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”.