PD "bojkoton" debatin e organizuar nga SHBA, Gert Bogdani: Ja arsyet që na detyruan
Partia Demokratike ka 'bojkotuar' nismën e ambasadës së SHBA për debat elektoral mes forumeve rinore të partive politike të zhvilluar pak ditë më parë në qytetin e Shkodrës. PD-ja do t'i përgjigjet kësaj nisme vetëm në debatin final që do të organizohet në Tiranë që i përket çështjes së integrimit të Shqipërisë. Pjesëmarrjen e demokratëve në këtë debat, e konfirmoi dje për "Gazeta Shqiptare", kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gert Bogdani, duke treguar edhe arsyet e mospjesëmarrjes në tryezën e parë të zhvilluar para pak ditësh në Shkodër për çështjen e arsimit dhe në të dytën që do të zhvillohet në Fier për korrupsionin. Sipas Bogdanit, PD-ja ka qenë ideatore e këtyre debateve dhe është pjesë e nismës së Ambasadës Amerikane për debate elektorale mes forumeve rinore. Por z.Bogdani kujton se FRPD-ja ka insistuar që debatet të zhvillohen dhe të përfshijnë forcat kryesore politike ose të gjitha partitë parlamentare të cilat kanë marrë votëbesimin e qytetarëve shqiptarë për të qenë të përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë. Nisur nga kjo, Gert Bogdani konfirmon pjesëmarrjen e FRPD-së në debatin e fundit që do të zhvillohet në kryeqytet. "FRPD është pjesë e nismës së Ambasadës Amerikane për debatet elektorale mes forumeve rinore, madje mund të them që FRPD-ja ka qenë edhe një prej ideatoreve. Megjithatë, FRPD-ja ka insistuar që debatet të zhvillohen dhe të përfshijnë forcat kryesore politike ose të gjitha partitë parlamentare të cilat kanë marrë votëbesimin e qytetarëve shqiptarë për të qenë të përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë. Në këtë kuadër, FRPD-ja ka marrë pjesë në të gjitha trajnimet në lidhje me debatet elektorale të zhvilluara nga lektorë në Ambasadën Amerikane dhe do të marrë pjesë në debatin final që do të zhvillohet në Tiranë", - deklaroi Bogdani. Në këtë mënyrë, sipas Bogdanit, FRPD-ja nuk ka shmangur nismën e Ambasadës Amerikane, e cila ka vendosur të zhvillojë disa debate për fushatën elektorale mes forumeve rinore të partive kryesore në Shqipëri. Debati i parë është zhvilluar dy ditë më parë në Shkodër dhe në të nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e PD-së, por vetëm ata të PS-së, LSI-së dhe FRD-së. Tema diskutimi kanë qenë arsimi dhe punësimi. Nga ana tjetër, mësohet se Ambasada Amerikane kishte të planifikuar edhe FRPD-në në debatin e Shkodrës dhe po ashtu edhe në atë që do të zhvillohet së shpejti në qytetin e Fierit, siç do të jetë e planifikuar edhe në debatin final që do të mbahet në kryeqytet. Ambasada ka fiksuar tre media vizive për debatet që po zhvillohen mes forumeve të partive politike në vend.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)