E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident i rëndë në fshatin Dhërmi, vdesin nënë e bir

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur rreth orës 13:30 në fshatin Dhërmi të rrethit të Vlorës, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur tre të tjerë. Sipas policisë, ka humbur jetën drejtuesi i mjetit "Mercedes Benz" me targa të Vlorës, Ardian Gjini, 38 vjeç, dhe nëna e tij, Lefetri Gjini 66 vjeç. Sipas policisë, në automjet gjendeshin pesë persona të një familjeje dhe të afërm të tjerë, midis tyre edhe një vajzë 5-vjeçare.

Të plagosurit janë Savo Gjini, 71 vjeç, Gjinovefa Gjini, 64 vjeçe, dhe Kristina Gjini 5 vjeçe. Burime nga spitali i Vlorës bëjnë të ditur se tre pasagjerët e plagosur, përfshirë edhe të miturën, janë jashtë rrezikut për jetën, por kanë marrë disa dëmtime në trup, si dhe disa fraktura të gjymtyrëve si pasojë e përplasjes.

Policia bën të ditur se aksidenti ka ndodhur në kohën që drejtuesi i automjetit është përpjekur të frenojë në një të tatëpjetë në të dalë të fshatit Dhërmi në drejtim të Himarës. Sipas ekspertëve të policisë rrugore, frenat nuk kanë kapur për shkak të nxehjes nga rruga e gjatë me pjerrësi të madhe. Mjeti ka dalë jashtë rrugës dhe pas disa metrash është përplasur me një masiv betoni, në dalje të fshatit Dhërmi. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar banorë të fshatit, si dhe kalimtarë, të cilët kanë nxjerrë nga makina të plagosurit dhe i kanë dërguar në spitalin rajonal të Vlorës për mjekim. Me mbërritjen e policisë është bërë e mundur edhe nxjerrja nga makina e dy të vdekurve dhe dy trupat janë dërguar në morgun e spitalit të Vlorës. Pesë anëtarët e familjes Gjini ishin nisur me makinën e tyre private për në Sarandë, te disa të afërm.

Fshati Dhërmi, është një prej pikave më të rrezikshme të kalimit të automjeteve në rrugën Vlorë-Himarë. Thuajse çdo vit rruga e këtij fshati është bërë shkak për shumë aksidente me pasojë vdekje, ndërkohë që është një aks tepër i vështirë për t‘u përshkuar nga automjete të tonazhit të lartë. Rasti më i fundit ishte vitin e kaluar, kur një maune, e cila transportonte një motor avioni, është batuar në rrugë, duke bllokuar me orë të tëra qarkullimin e automjeteve në këtë aks.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›