E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe sfida me vetveten

Dy vjet pas zhvillimit të Kuvendit Kombëtar PD-ja do të mbledhë Këshillin (e ri) Kombëtar, për të zgjedhur kryesinë. Për një parti serioze politike dokumenti kushtetues organizues është statuti dhe sipas tij, kjo procedurë zgjedhjeje do të duhej të kishte ndodhur dy javë pas Kuvendit, pra në funddhjetor 2009-të. Sipas “Kushtetutës” demokrate po në këtë periudhë do të duhej të ishin zgjedhur sekretariati dhe funksionarët drejtues, dhe po në këtë periudhë ka skaduar mandati përfaqësues i të gjithë ekipit drejtues, me përjashtim të kryetarit të zgjedhur në Kuvend. Pas dy vitesh bilanci flet vetë: dy zëvendëskryetarët dhe shumica e sekretarëve në PD dhe komisioni disiplinor (gjykata) janë zgjedhur në postet e tyre 6 vjet më parë, kur mandati i tyre ka qenë 4 vjet, një e treta e kryesisë edhe pse “de juro” anëtarë, “de facto” janë përjashtuar nga çdo aktivitet politik, drejtuesit e organizatave partnere (Lidhja e Grave dhe Forumi Rinor) janë emëruar pa votim as ratifikim formal, dhe vetë strukturat vendimmarrëse Këshilli Kombëtar (parlamenti i një partie), apo kryesia (ekzekutivi) nuk janë funksionale dhe në bazë statuti (kur nuk mblidhen 3 herë në vit, shkrihen) e kanë konsumuar mandatin. Gjatë kësaj periudhe të gjitha vendimet politike që duhet të ratifikoheshin në KK janë imponuar nga lidershipi drejtues, pa votim dhe as konsultim qoftë edhe formal me strukturat e përcaktuar në statut.
Në përfundim të këtij procesi depolitik, PD-ja ka kaluar nga një parti politike popullore, e krijuar dhe e drejtuar periodikisht nga një elitë intelektuale, në një parti elektorale, parti – lider, parti burokratike e njësuar me administratën dhe stafin hierarkik të emëruar nga drejtuesi i saj. Kjo situatë vjen tërësisht në kundërshtim me statutin e PD dhe në një plan më të gjerë, me nenin 7 (a) të ligjit për partitë politike (2000) ku specifikohet detyrimi që partitë politike për të pasur organizim demokratik dhe për zhvilluar zgjedhje të brendshme demokratike për forumet e partisë, apo më tej, me Kushtetutën e Shqipërisë (neni 9) sipas të cilit “organizimi i tyre (partive) duhet të përputhet me parimet demokratike”. Kjo vlen për një shoqëri dhe sistem demokratik funksional, ndaj për një vend si Shqipëria, ku partitë identifikohen si mbështetës militantë të një lideri, fakte të tilla kanë vetëm vlerë studimore. Gjithsesi, ky bilanc i jep të drejtë memorandumit të shkurtit 2010 të ish-ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj, sipas të cilit “me shkelje të tilla të rënda të Kushtetutës së partisë, ne japim detyrimisht përpara shoqërisë shqiptare një dëshmi shumë të keqe të vullnetit tonë politik për të ndërtuar një sistem ku prevalon ligji”.
PD-ja më 1990 u krijua si parti e elitës (65 intelektualë dhe 167 studentë ishin nënshkruesit themelues të saj), premtoi Shqipërinë europiane (demokraci, ligj, rend Kushtetues, liri mendimi e zgjedhje konkurruese), iu kundërvu hapur modelit të vjetër të partisë – shtet, partisë – administratë, modelit të bllokut dhe kultit të individit, trashëgimisë së gabuar të sistemit të karrierës mbi bazë besnikërie, nepotizmi dhe emërimi. Pas 20 vitesh PD-ja zyrtare ka hequr dorë vullnetarisht prej shumicës absolute të këtyre vlerave dhe parimeve, ajo ngjan me çdo parti tjetër dhe mbi të gjitha, nuk ka asnjë shenjë vullneti apo vizioni për të reflektuar, për të ndryshuar apo për të rifituar statutin moral të viteve ‘90. Pas 20 vitesh nuk ka më garë të brendshme, nuk ka debat, nuk ka strukturë efektive, nuk ka program, nuk ka identitet politik konservator, nuk ka memorie mbi vetë historinë e PD-së, të gjallët themelues sulmohen, të vdekurit nderohen; nuk ka vizion për të ardhmen dhe as principe morale që frymëzojnë aspirata të mëdha. Prej 2009-ës PD-ja iu përshtat modelit të PS-së për pushtet me çdo çmim, me çdo kompromis, mbi çdo parim politik dhe jashtë çdo rregulli etik, moral e institucional. 20 vjet pas krijimit të saj PD ka larguar 90% të themeluesve, ndërkohë që me marrëveshje informale është në koalicion zyrtar me tre nga pesë kryeministrat socialistë të tranzicionit, me parti të majta dhe të ekstremit të majtë nga LSI-ja tek PK-ja. Në shkëmbim të mbështetjes për votën në pushtet PD-ja ka lejuar të heqë dorë nga principet e saj politike të themelimit, të falë pushtet proporcional për çdo votë parlamentare, shpeshherë në kundërshtim edhe me ligjin dhe Kushtetutën (p.sh, marrëveshja për 20% të posteve për LSI-në, poste të cilat në bazë të Kushtetutës dhe ligjit janë civile dhe fitohen me konkurs të hapur).
Zgjedhjet e fundit lokale (2011) ishin reflektim ekstrem i kësaj gjendjeje kaotike në vlerat dhe parimet e funksionimit disavjeçar të partisë së parë demokratike në Shqipëri. Mbledhja e KK-së thuhet se do të bëjë analizë, por paraprakisht tre drejtuesit kryesorë të PD-së kanë paralajmëruar se me analizë nënkuptojnë festë për “fitoren historike në zgjedhje”. Ata kanë kurajën të krahasohen me 1992, kohë kur PD-ja fitoi 1,2 milion vota, katër herë më shumë vota sesa më 6 maj 2011. Modeli për të paraqitur çdo humbje si fitore, një sëmundje tradicionale shqiptare, dominon edhe mentalitetet drejtuese aktuale në PD. Drejtuesit e saj mburren se koalicioni qeverisës ka fituar 140 mijë vota më shumë, gjë që është e vërtetë, por harrojnë se vetë PD-ja ka humbur rreth 90 mijë vota në raport me PS-në (nga 10 mijë diferencë më 2009-të diferenca e vitit 2011 është rreth 100 mijë vota). A mund të quhet sukses të fitosh të gjitha komunat e Elbasanit, por të humbësh të gjitha bashkitë bregdetare të Shqipërisë, të humbësh Vlorën dhe Fierin, Beratin dhe Sarandën, Korçën dhe Elbasanin, Kavajën dhe Laçin, Shëngjinin, Krumën dhe Pogradecin? A ka vend për analizë kur PD ka humbur shumicën e njësive vendore në të gjitha zonat ku janë deputetë drejtuesit aktual të PD nga Vlora në Kavajë, nga Shkodra në Korçë, nga Durrësi në Fier; kur në shumë njësi vendore (p.sh., Fushë-Arrëz) me pazare politike PD-ja fitoi kryetarin, por nuk ka fituar asnjë këshilltar? Tirana është rast specifik dhe në çdo analizë duhet kurajë të flasësh për humbje dhe fitore, sidomos në njësitë bashkiake, ku PD-ja feston fitoren e LSI-së në tre prej tyre. Si subjekt PD-ja në Tiranë do të duhej të kishte 5-10% më shumë vota (10 vjet në opozitë lokale, 6 vjet në pushtet qendror, shkrirja me PDR-në, koalicioni me LSI-në, PDIU e LZHK, përçarja e PS-së, etj), kur në fakt PD-ja ka fituar vetëm 77 mijë vota ndaj 104 mijë votave të PS-së.
Ata “harrojnë” se lidershipi i PD-së është aty për të drejtuar PD-në, pra për të mbledhur vota në siglën e saj, jo për të derdhur shampanjë për votat e ardhura përmes votimeve taktike nga LSI-ja, PDIU-ja apo parti të tjera, sa të majta aq edhe të djathta. Në vend që të gëzohet për votat e LSI-së (me 20% poste drejtuese kombëtare) PD-ja duhej të shqetësohej për votat në rënie të së djathtës tradicionale, rënies drastike të vetë PD-së, të PR-së, të LZHK-së, të Ballit apo të ikjes tek e majta të mbi 50 mijë votave demokristiane. Sepse duke pranuar këtë gjendje, mjafton një deklaratë dy rreshta e LSI-së (e familjarizuar me sjellje të tilla) që kalon majtas dhe e djathta do të duhet të presë 6-8 vjet të tjera për të shpresuar të bëhet shumicë qeverisëse. Pra, shndërrimi i PD-së nga një parti popullore në një parti – peng të aleatëve të zemëruar të së majtës, është investimi dhe bilanc më negativ për një kurs drejtues që midis vlerave dhe parimeve zgjodhi kompromiset, pazaret e posteve dhe shifrave me klanin dhe “klanet e Zemunit”.
PD-ja sot në mbledhjen e saj mund të ketë dy sjellje: e para të bëjë atë që po bën prej vitesh, një paradë propagandistike suksesesh, të emërojë ca emra në kryesi e sekretariat, të “shtrëngojë” radhët me figura besnike që mund t’i duhen nesër ku mund të kalojë në opozitë, pra të bëjë gjithçka në formën dhe mënyrën më të gabuar të mundshme. Ky variant ka potencial të ndodh përderisa çdo kryesi e grup parlamentar nga 1991 ka ardhur duke humbur cilësi, personalitete, peshë dhe potenciale. E dyta do të ishte sjellja e përgjegjshme, e qetë, analizuese dhe reflektuese për të gjithë problematikën politike. Ky do të ishte veprimi më i mençur, më efikas dhe më i përshtatshëm për një parti serioze politike. PD duhet të dëshmojë se është në pushtet jo për shkak të këtyre pazareve, jo për shkak të dobësisë, gabimeve dhe dështimeve të PS, jo për shkak të gjendjes së tranzicionit në standardet demokratike, por për meritë, për moral qeverisës, për aftësi në alternativë dhe për mbështetje direkte dhe aktive nga qytetarët votues.
Si një parti anëtarë në EPP, demokratët kanë detyrime të respektojnë parimet politike të saj, të ketë organizim demokratik, respekt për mendimin ndryshe, garë konkurruese, program të djathtë politik, mbështetje tek principet e të djathtës (tradita, vlerat, familja, prona, liria, sjellja institucionale, integrimi elitar, konkurrenca ekonomike, mbështetje e biznesit, respekti për besimin fetar, etj), principe që aktualisht për shumicën fiktive në krye të PD tingëllojnë si fjalë të huaja. PD-ja ka rastin të ndryshojë në thelbin e organizimit dhe mendimit të saj politik, duke mësuar nga “sëmundja e mandatit të dytë” që shkatërroi PS-në, duke zgjedhur parimet dhe principet në vend të ambicies së shfrenuar për pushtet, duke zgjedhur sjelljen institucionale e kushtetuese ndaj retorikave populiste të trashëguara nga e kaluara, duke ngritur kultin e ideve mbi kultin e individit, duke realizuar demokraci të brendshme, si shans i vetëm që të jetë e besuar se është e aftë që jashtë shtëpisë së saj të realizojë demokraci edhe për të gjithë shqiptarët. Sepse një familje politike e sëmurë nga brenda, nuk mund të shërojë plagët e të tjerëve jashtë, thjesht vetëm sa i shumëfishon ato.
Për këdo që beson tek demokracia dhe vlerat e saj është e qartë se PD ka nevojë të kapërcejë modelin dramatik të vetvetes, ku aktualisht ndalohet të mendohet ndryshe, ndalohet konkurrimi, ndalohet kritika dhe vota kundër, ndalohet të jesh i paanshëm, ndalohet të mos jesh besnik ndaj kryetarit. PD nuk mund të jetë një sekt politik që imiton dhe beson gjithçka që drejtuesi predikon, ajo mund e duhet të jetë një organizim i lirë i qytetarëve të lirë, një parti ku institucioni i karrierës bazohet në votë të fshehtë dhe merita politike, një grupim ku shkëmbehen ide dhe ofrohen alternativa demokratike zhvillimi për qytetarët, një dritare ku flitet si qytetarë dhe europianë të denjë. Ajo ka nevojë për reformim të thellë që duhet të vijë nga mendjet e lira dhe anëtarët me kurajë e vizion, ka nevojë për identitet politik dhe program politik të shkruar, për një moral të qëndrueshëm politik, qeverisës, publik dhe partneriteti me qytetarët tanë dhe partitë simotra në EPP. Sot me urdhër dhe me votë militante në Këshillin Kombëtar të PD-së këto propozime mund të injorohen, mund të rrëzohen, mund të denigrohen, por me siguri do të jetë e shkurtër koha kur shumica e atyre, që sot janë aty për të shërbyer nuk do të donin të ishin.
* Mendimet janë personale. Autori është bashkëthemelues i PD-së më 1990.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›