PD draft per kufizimin e imunitetit

Nisma është propozuar nga Astrit Patozi në mbledhjen e grupit parlamentar të mazhorances. Pas miratimit në formë ligji, lista me deputetët që bien dakord me kufizimin i dërgohet prokurores së përgjithshme.
“Është një projekt/vendim për kufizimin e imunitetit të deputetit. Neni 1: miratohet kufizimi për fillimin e ndjekjes penale që lidhen me vepra penale si korrupsioni, aktiv ose pasiv. Neni 2: për këto vepra penale kufizimi bëhet për gjithë zgjatjen e mandatit. Ai është i vlefshëm deri në përfundimin e legjislaturës. Neni 6: për legjislaturën aktuale deputetët depozitojnë tek kryetari kërkesën 1 ditë brenda hyrjes në fuqi të vendimit. Dhe së fundmi është një deklaratë e përgjithshme që do të nënshkruhet nga të gjithë deputetët. Deklarimi për heqjen dorë nga imuniteti me vullnetin e tyre”, ka deklaruar Patozi.
Nisma gëzon mbështetjen e plotë të kryeministrit Berisha, i cili ndonëse nuk i ka kursyer sulmet ndaj prokurorisë, ka theksuar se para ligjit, deputeti duhet të jetë i barabartë me qytetarët.
“E bëjmë këtë kur kemi një prokurori që fle mbi qindra dosje të qeverisë së mëparshme socialiste dhe hap dosje për qeverinë tonë. Unë e falenderoj për këtë. Ne me këtë vendim heqim cdo lloj mungese burokratike dhe bëhemi baraz me zgjedhësit tanë para ligjit. Kam kënaqësinë ta firmos i pari këtë deklaratë”, ka deklaruar Berisha, i cili e ka firmosur atë menjëherë.