E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vihet nën hetim ish-deputeti i PLL-së, Etem Fezollari

06/05/2011  I kishte humbur pistoleta “TT”, dorëzon në komisariat një “Zastava”, ndiqet në gjendje të lirë

POGRADEC- Ndaj ish-deputetit të PLL, Etem Fezollari, banues në Pogradec, janë kryer veprimet hetimore procedurale në gjendje të lirë për veprën penale të “humbjes së armatimit dhe mbajtjes të armëve dhe municioneve luftarake pa leje”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal. Fezollari ishte pajisur me armë zjarri (pistoletë) gjatë kohës që kishte qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por pikërisht gjatë kësaj kohe ai e kishte humbur armën, me të cilën ishte pajisur nga komisariati i policisë Pogradec. Burimet e policisë nuk saktësuan konkretisht se në çfarë kohe kishte ndodhur humbja e armës, por që gjithsesi kjo gjë kishte ndodhur gjatë mandatit të tij si anëtarë i Kuvendit.

Dorëzon armë pa numër...

Megjithatë, kur ish-deputeti Fezollari kishte shkuar për të dorëzuar armën në polici, nuk kishte paraqitur atje armën që kishte marrë nga komisariati i përmendur më sipër, por një armë tjetër. Për këtë arsye ndaj tij tashmë janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Pogradec për hetime të mëtejshme, pasi bëhet fjalë për humbjen e armës dhe njëkohësisht për mbajtjen e një arme tjetër pa leje. Në vijim të këtij informacioni, burime pranë Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës saktësuan se ndaj shtetasit Etem Fezollari, 68 vjeç, banues në lagjen nr, 1 të Pogradecit janë kryer veprimet hetimore dhe procedurale në gjendje të lirë. Sipas burimeve në fjalë, ky shtetas, duke qenë me detyrë deputet, ishte pajisur nga komisariati i policisë Pogradec me armë brezi, pistoletë “TT”, model 54, në datën 30.04.2005, por ndërkohë gjatë kohës që kishte qenë në këtë detyrë e kishte humbur. Megjithatë, Fezollari kishte shkuar në komisarit në dt 18.03.2011 për të dorëzuar armën, (sepse tashmë nuk e ka më detyrën e deputetit), por duke mos çuar atje armën që kishte marrë nga komisariati, por një pistoletë tjetër. Sipas burimeve të policisë, arma që Fezollari kishte çuar në komisariatin e Pogradecit ishte një tjetër armë tip “Zastava” dhe pa numër. Për të gjitha arsyet e renditura më sipër, policia e Pogradecit nisi që nga ky çast veprimet hetimore, ku tashmë do të jetë Prokuroria ajo që do të hedhë dritë mbi humbjen e armës dhe zbardhjen e rrethanave mbi gjetjen e një arme tjetër nga ish- deputeti Etem Fezollari.

Qamil Xhurreta pa vetëm interesat e veta personale

PD Shkodër: Mbështesim

kandidatin e pavarur të Bërdicës

SHKODER- Partia Demokratike, dega Shkodër, ka dalë përsëri me një deklaratë për shtyp kundër kandidatit, tashmë të mohuar, të “Aleancës për qytetarin”, kreut aktual të komunës Bërdicë, Qamil Xhurreta. Deklarata është vijim i deklaratës së mëparshme të kësaj dege të PD-së në Shkodër dhe kundërvënie të deklaratave të kandidatit Xhurreta, që është përfaqësuesi i Partisë Republikane. Edhe në deklaratën e djeshme, dega e PD-së Shkodër, nëpërmjet zëdhënësit të saj Aleksandër Marlecaj ka rideklaruar si kandidat të sajin, ish-kandidatin e pavarur Besnik Tahiri, si dhe ka akuzuar kandidatin Qamil Xhurreta se gjatë mandatit të kaluar ka punuar vetëm për interesat e veta personale dhe jo të komunitetit. Duke falënderuar qytetarët e Shkodrës për pjesëmarrjen masive në mitingun madhështor përmbyllës të PD-së për zgjedhjet vendore të 8 majit, Marlecaj theksoi se dega e kësaj partie nuk mund të mos distancohet nga metodat e pahijshme të përdoruara nga kandidati Qamil Xhurreta. Sipas deklaratës së zëdhënësit të degës së PD Shkodër, Marlecajt, kandidati Xhurreta mori kurajën për të servirur para elektoratit të Bërdicës montime televizive me qëllim mashtrimin e popullit të Bërdicës. “Qamil Xhurreta ka pasur në vëmendje të tij vetëm interesat e veta të ngushta personale dhe nuk ka bërë asgjë për t’i shërbyer interesave të komunitetit demokrat të Bërdicës. Besnik Tahiri është kandidati i vetëm i PD-së. Kandidati Tahiri është njeriu i punës dhe gjithnjë në shërbim të komunitetit. Ai është kandidati i dalë nga strukturat e PD-së dhe gëzon mbështetjen e plotë saj”, theksohej në deklaratën e degës së PD-së Shkodër. V. Abdyli

Përrenjas, përplasjet në fushatë

Sulmohet shoferi i kandidatit të PD-së në Përrenjas

PËRRENJAS- Sulmohet shoferi i kandidatit për kryetar bashkinë në Përrenjas. Ngjarja ndodhi rreth orës 02.00 të mëngjesit në aksin rrugor Përrenjas-Librazhd në vendin e quajtur shkolla 9-vjeçare “Zihni Golemi”. Ylli Kanani 37 vjeç, Ladimir Torra 30 vjeç dhe Dritan Kanani 32 vjeç, të tre me banim në qytetin Përrenjas i kanë zënë pritë shtetasit Asqeri Karriqi, shofer i kandidatit për kryetar bashkie Bajazit Karriqi dhe dy shtetasve të tjerë, të cilët ndodheshin në automjet me atë. Fillimisht shtetasit e mësipërm kanë goditur me sende të forta mjetin tip Benz me targë TR 7209 J, i cili ishte në përdorim të kandidatit Karriqi duke i shkaktuar dëme materiale, e më pas kanë goditur me grushte shtetasin Asqeri Karriqi, si dhe dy personat e tjerë, të cilët ndodheshin në këtë mjet, përkatësisht shtetasit Xhulio Haderi dhe Artan Kukli. Po kështu janë grisur dhe dëmtuar edhe posterat e kandidatit Karriqi. Shtetasi Asqeri Karriqi u dërgua në spital, i cili mori mjekimin e nevojshëm, e më pas u largua për në banesën e tij. Shërbimet e komisariatit të policisë Librazhd bënë të mundur shoqërimin e shtetasit Ylli Kanani, ndërsa për dy shtetasit e tjerë po punohet për kapjen e tyre. Sipas të dhënave paraprake, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë për motive politike. Megjithatë, policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

L. Lleshi

Policia: Jo politike, PS pretendon të kundërtën

Konflikt në Pajovë të Peqinit, plagoset 1 shtetas

PEQIN- Një tjetër ngjarje është regjistruar gjatë natës këtë herë në një autogril në afërsi të fshatit Bishqem të komunës Pajovë në rrethin e Peqinit. Sipas policisë së Elbasanit, mes disa personave ka pasur një konflikt të dhunshëm. Shërbimet e policisë së komisariatit Peqin, me të marrë njoftimin kanë shkuar ne vendngjarje dhe në spitalin e Elbasanit, pasi disa prej personave të konfliktuar kishin shkuar për të marrë mjekimin e nevojshëm. Nga veprimet e para të grupit hetimor mësohet se personat Q. Plaku, 52 vjeç, S. Xhani 32 vjeç, D. Plaku 27 vjeç, Xh. Mece, vjeç 26, B. Baha, vjeç 27, që të gjithë banues në fshatin Bishqem. Konflikti ka filluar fillimisht me fyerje e më pas ka vazhduar me grushte. Por ndërkohë një prej të plagosurve i mbërritur në spitalin kirurgjik të Elbasanit ka deklaruar se një nga personat e përfshirë në konflikt ka qenë i armatosur. Policia e Elbasanit deklaroi se ka bërë verifikimet e nevojshme për persona të armatosur të përfshirë në këtë konflikt dhe rezultoi se i vetmi person i armatosur ishte një punonjës policie i komisariatit nr. 5 Tiranë, i cili thjesht ka qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje. Policia deklaron si shkak motive të dobëta, por nuk e pranon këtë version Partia Socialiste e Peqinit. Deputeti i kësaj partie, Skënder Hasa, ka deklaruar se ky konflikt ka qenë politik dhe i inspiruar nga kandidati i “Aleancës për qytetarin” për komunën e Pajovës. Sipas tij, ata që kanë mbetur të dëmtuar në këtë incident janë përkrahës të PS dhe ngjarja ka prapavijë politike. Por policia ka deklaruar se ky version nuk qëndron. L. Lleshi

Në dispozicion 600 efektiva

Drejtoria e Policisë Elbasan masa për zgjedhjet

ELBASAN- Drejtoria e Policisë Elbasan ka marrë masa për fushatën dhe procesin zgjedhor duke garantuar çdo qendër votimi. Drejtori i policisë, Jashar Vreka, tha për mediat se është vendosur një plan masash për të garantuar me profesionalizëm të gjithë procesin, si dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera. “Plani i masave mbështetet në objektivin bazë të policisë së shtetit në procesin zgjedhor për organet e qeverisjes vendore: “Garantimin e rendit dhe të sigurisë publike gjatë gjithë procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, nëpërmjet kryerjes me profesionalizëm dhe në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore të të gjithë detyrave të ngarkuara para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan ka vlerësuar maksimalisht rëndësinë që ka kalimi me sukses dhe pa probleme i procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore që do të zhvillohen në datë 8 maj 2011.

Janë trajnuar 256 punonjës policie të rolit zbatues dhe të parë drejtues, ku krahas efektivave të Drejtorisë Policisë Qarkut Elbasan, në dispozicion të procesit zgjedhor janë vendosur edhe 57 punonjës të njësisë rajonale të Policisë Rrugore Elbasan. Në total për mbulimin me shërbim policor janë planizuar 600 efektive policie dhe 43 automjete. L. Lleshi

Parlamentarët gjermanë: Vlerësojmë përgatitjet

Nishani, takim me gjermanët për zgjedhjet e 8 majit dhe reformat

TIRANË- Temat kryesore të diskutimit në takimin mes ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dhe delegacionit të Komisionit të Punëve të Brendshme të Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë ishin përgatitja e procesit zgjedhor të 8 majit dhe reformimi i Policisë së Shtetit. Për sa i takon përgatitjeve të procesit zgjedhor të 8 majit, ministri Nishani informoi anëtarët e Parlamentit gjerman se procesi i hartimit të listave zgjedhore është ndërtuar mbi bashkëpunimin mes qeverisjes qendrore me qeverisjen vendore dhe se këto lista burojnë nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Shtetasve, ndërkohë dokumentet e identitetit për të votuar janë të standardeve më të larta evropiane. Duke shtuar edhe faktin se punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve janë të mirëtrajnuar edhe me mbështetjen e OSBE, ministri Nishani shprehu bindjen se ky proces zgjedhor është përgatitur dhe pritet të zhvillohet sipas praktikave më të mira të demokracive të zhvilluara. Përfaqësuesit e delegacionit parlamentar gjerman vlerësuan masat e ndërmarra për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe shprehën rëndësinë e forcimit të klimës së besimit dhe bashkëpunimit mes forcave politike në vend. Nishani i njohu parlamentarët gjermanë edhe me arritjet e Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit dhe me përmbushjen e disa reformave.

Shpërthimi, lëndohet lehtë socialisti

Tritol makinës së kandidatit të PS-së Astrit Cengu

Makina e kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar të komunës Shtiqen, të Kukësit, Astrit Cengu, ka shpërthyer mëngjesin e djeshëm. Sipas të dhënave të para, ngjarja ndodhi rreth orës 07. 30 minuta në shëtitoren e qytetit të Kukësit, ku dhe ishte parkuar makina. Kandidati i PS-së Cengu ka qenë rreth 5 metra larg makinës kur ka ndodhur shpërthimi, dhe për pasojë ka pësuar lëndime të lehta. Sipas policisë dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e llojit tritol, e cila mund të jetë vendosur në krahun e majtë të makinës, pasi dhe dëmtimet më të mëdha janë në këtë krah të makinës, ku ishte dhe timoni. Me të dëgjuar shpërthimin forca të shumta policie, nën drejtimin e drejtorit të policisë Sadri Ramcaj kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore. Sipas hetimeve të para dyshohet se shpërthimi është realizuar me telekomandë. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dhe kreu i Partisë Socialiste të Kukësit Ylber Duraku. Ai e ka quajtur këtë ngjarje një akt politik, si dhe ka kërkuar nga policia gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Ndërkaq policia e Kukësit bëri të ditur se ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›