E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS akuza mes tyre për 12 rekomandimet e KE-së

01/03/2012  Plani i veprimit, debate gjatë shqyrtimit të tij në Komisionin e Integrimit

Bushati: Faji për dështimin e planit i PD-së. Doda: Opozita ska vullnet për mbylljen e reformave

Komisioni i Integrimit shqyrtoi dje planin e veprimit për 12 rekomandimet e Bashkimit Europian për integrimin e vendit në familjen europiane. Plani është dorëzuar në Kuvend dhe në të përfshihen zhvillimet më të fundit për realizimin e këtyre detyrimeve. Më pas ky plan pritet të dorëzohet në Bruksel.

Gjatë shqyrtimit të tij në Komisioni parlamentar të Integrimit ligjvënësit e mazhorancës dhe të opozitës kanë fajësuar njërin-tjetrin mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit. Në rend të ditës së mbledhjes së djeshme të këtij komisioni ishte shqyrtimi i planveprimit në përgjigje të 12 prioritete të vendosura nga Komisioni Europian. Kryetari i Komisionit të Integrimit, socialisti Ditmir Bushati, është shprehur se opozita i ka të qarta dhe po i përmbush të gjitha detyrimet e saj, ndërkohë i takon qeverisë të zbatojë detyrat e saj. Duke iu referuar deklaratës së dy ditëve më parë të Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule mbi rëndësinë e përmbushjes të secilit prej 12 prioritetet për tiu afruar BE-së, Bushati u shpreh: “Zbatimi i 12 kritereve që BE-ja ka lënë për Shqipërinë është kyç për avancimin e Shqipërisë në këtë proces. Është shumë e rëndësishme që të ketë një proces që realizohet në ujdi të plotë mes forcave politike për sa i përket reformës parlamentare, që është shumë e rëndësishme për këtë aspekt”, - tha Bushati. Nga ana e saj nënkryetarja Mesila Doda theksoi se “është pikërisht opozita që nuk ka treguar vullnetin për të mbyllur në kohë reformat e rëndësishme dhe jetike, siç është reforma zgjedhore”. Për deputeten e Partisë Demokratike kontributi i opozitës është më se i nevojshëm për reformën zgjedhore. Pas këtyre debateve Komisioni parlamentar për Integrimin vendosi të shtyjë shqyrtimin e planit të veprimit për ditën e hënë, gjatë së cilës do të marrë pjesë edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.

Ngecja e reformave

Puna për rregulloren e Kuvendit nisi më 14 nëntor 2011, paralel me komisionin e reformës zgjedhore. Ndryshe nga ajo zgjedhore, reforma parlamentare nuk po njeh asnjë progres, pasi deri tani komisioni i posaçëm ka zhvilluar dy mbledhje, në të cilat janë përcaktuar grupet e ekspertëve që do të punojnë për realizimin e saj. Ndërsa mandati i këtij komisioni ka skaduar që dje, dekretet e Presidentit dhe kufizimi i kohës së Kryeministrit kanë larguar edhe më shumë palët për të arritur një kompromis për Rregulloren e Kuvendit. Prishja e konsensusit politik mes mazhorancës dhe opozitës u paralajmërua në seancën plenare të një jave më parë, ku reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare ishin shkaku i debateve të zhvilluara mes kreut të mazhorancës Berisha dhe kreut të grupit parlamentar socialist Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›