E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia, rritja “nën presion”

01/03/2012  Projeksionet për ecurinë e ekonomisë mbështesin vlerësimin e rritjes pozitive, por nën potencial

Viti 2012 do të vazhdojë të mbajë në trysninë e krizës evropiane ekonominë shqiptare

Viti 2012 do të vazhdojë të mbajë në trysninë e krizës ekonominë shqiptare. Ditën e djeshme gjatë një konference për shtyp, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, theksoi se ekonomia shqiptare do të rritet shumë poshtë potencialeve të saj. Guvernatori tha se, projeksionet për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen mbështesin vlerësimin për një rritje pozitive, por nën potencial, të ekonomisë shqiptare edhe në vitin në vazhdim. Kërkesa e huaj pritet të vijojë të japë një kontribut pozitiv në rritjen e kërkesës agregate, por në nivele më të ulta. Gjithashtu, edhe impulsi i dhënë nga qeveria pritet të jetë në nivele më të ulëta në krahasim me vitin që kaloi. “Në këto kushte, shpejtësia dhe ritmi i rritjes së aktivitetit ekonomik në vend do të përcaktohet në një masë të madhe nga ecuria e komponentëve të kërkesës së brendshme private: konsumit dhe investimeve”, tha Fullani. “Analizat tona tregojnë se, ekzistojnë hapësirat për një rritje më të lartë të tyre në të ardhmen. Kjo rritje do të mbështetet edhe nga kushtet monetare e financiare stimuluese, në reflektim të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë”, shtoi ai më tej në vlerësimin për ecurinë e ekonomisë në të ardhmen. Guvernatori tha dje se në tremujorin e fundit të vitit që shkoi u vunë re disa përmirësime të lehta në disa tregues. Ecuria e investimeve private vlerësohet gjithashtu më e përmirësuar në tremujorin e katërt të vitit, por përmirësimi mbetet ende në degë të caktuara të ekonomisë, ndërkohë që në nivel ekonomie ato mbeten të ulëta. Duke ju referuar të dhënave të tërthorta, Banka e Shqipërisë vëren se, një tendencë përmirësimi të konsumit në tremujorin e katërt të vitit. Gjithashtu ekonomia në tremujorin e katërt të vitit që shkoi ka marrë një stimul pozitiv nga investimet qeveritare, të cilat kanë qenë më të larta se në tremujorët e tjerë.

Bonot e thesarit

Banka e Shqipërisë e vlerëson si zhvillim normal rritjen e normës së interesit për bonot e thesarit dhe rrjedhimisht borxhit që merr qeveria. Sipas guvernatorit, luhatjet të tilla tregojnë se tregu funksionon dhe rregullohet nga kërkesë oferta. Për bonot me afat 12-mujor, në ankandin e fundit norma e interesit ishte 7.32 për qind, ndërsa në ankandin e mëparshëm ishte 7.21 për qind.

Tregtia e jashtme

Të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme tregojnë për një rritje vjetore prej 20.7% të eksporteve tona në muajin dhjetor. Ndërkohë, importet kanë shpejtuar ritmin e rritjes në këtë muaj, duke shënuar një rritje vjetore prej 14.5%. Kjo ecuri e tyre është reflektuar në zgjerimin e deficitit tregtar me 12.0% në terma vjetorë. Në një masë të madhe, ecuria e deficitit tregtar reflekton ecurinë e çmimeve në tregjet botërore.

Norma e interesit

Bankat kanë reflektuar uljen e normës bazë të interesit për lekun, duke reduktuar interesat e kredive në monedhën vendase. “Ulja e normës bazë të interesit, në nivelin 4.5% është reflektuar në lehtësimin e kostos së huamarrjes për bankat, ndërkohë që pritet tejçimi i plotë i kësaj ulje edhe në segmente të tjerë të tregut me maturitet më të lartë. Për ankandin e bonove do të thotë që tregu funksionon”, deklaroi Fullani.

Situata

Bankat, raport për paratë në kesh

Qytetarët shqiptarë po preferojnë gjithmonë e më tepër të përdorin para në dorë dhe të priren drejt pagesave elektronike. Sipas raportit të Banës së Shqipërisë, për ndërmjetësimin financiar, zhvillimet në depozita kanë qenë pozitive, të ndikuara nga preferenca e individëve për të përdorur më pak kesh. Raporti nënvizon se stimuli i rritur fiskal në ekonomi gjatë vitit të shkuar, së bashku me kërkesën e sektorit privat në financim, kanë ndihmuar në krijimin e parasë, sidomos në lekë. Në muajin nëntor, raporti i depozitave ndaj prodhimit kombëtar vlerësohet të këtë arritur në 68 për qind, përkundrejt 64 për qind në vitin 2010. Për të njëjtën periudhë, paraja jashtë bankave ka rënë me rreth 1 për qind krahasuar me fundin e vitit 2010. Forcimi i besimit në sistemin bankar, i shoqëruar me orientimin e agjentëve ekonomikë drejt instrumenteve afatgjata, ka çuar në rritjen e monetizimit të ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›