PD, epërsi me 12 përqind mbi Partinë Socialiste
Sondazhi i parë serioz për fillimin e 2009-s konfirmon epërsinë e Partisë Demokratike mbi opozitën e Edvinit, por edhe mbi një koalicion të mundshëm të saj me LSI-në. Qendra “Gani Bobi”, e cila qe e para që shpalli në mënyrë të saktë mbrëmjen e 3 korrikut 2005 fitoren e Partisë Demokratike ka publikuar rezultatet e sondazhit të parë. PD gëzon përkrahjen e 49 përqind të votuesve, ndërkohë që PS e Edvinit ka vetëm 37 përqind të preferencave. Qendra angazhohet për kryerjen e sondazheve mujore si dhe të “exit-poll”-eve ditën e 28 qershorit.
Mazhoranca e djathtë duket shumë pranë fitimit të mandatit të dytë qeverisës.
Një sondazh i Qendrës për Studime Humanistike “Gani Bobi” me seli në Prishtinë, e mbështetur nga Agjencia amerikane “Penn Shon Berland”, e specializuar në fushën e sondazheve, realizuar në dhjetor të vitit 2008, thotë se Partia Demokratike do të
jetë forcë e parë politike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Drejtori i qendrës, Shkëlzen Maliqi, duke e prezantuar dje në mesditë para mediave, theksoi se sondazhi bazohet në 747 anketime të kryera në të gjithë vendin dhe ofron një panoramë të qartë të predispozicionit të elektoratit për votën drejtuar partive politike. “Gani Bobi” njihet si shoqata që organizoi “exit-poll”-in e zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, sipas të cilit PD-ja kishte fituar në Tiranë dhe Durrës. Kjo organizatë është kontraktuar nga kompani amerikane të kryejnë sondazhe për zgjedhjet në vende të tilla si Afganistan, Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje. Të gjitha sondazhet e ofruara kanë qenë të sakta dhe kanë treguar që në krye të herës fituesin.
Partitë
Sipas shifrave të “Gani Bobit”, mësohet se PD-ja fiton zgjedhjet e ardhshme me rreth
49 për qind të preferencave të votuesve shqiptarë. “Politika e re” e përfaqësuar nga Partia Socialiste dhe kreu i saj Edi Rama kuotohet plot 12 pikë më poshtë pra vetëm 37 për qind të votave të qytetarëve në një kohë që Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës nuk mbërrin më shumë se 7.1 për qind të votave. Sipas sondazhit të “Gani Bobi”, humbësit e mëdha të këtyre zgjedhjeve do të jenë partitë e vogla, pasi përveç Partisë Republikane asnjë parti tjetër nuk do të marrë më shumë se 1 për qind të votave të shqiptarëve. Sipas drejtorit të qendrës “Gani Bobi”, Shkëlzen Maliqi, mësohet se marzhi i gabimit llogaritet, në kufijtë 2 deri 4 për qind dhe është më i lartë te partitë e vogla.
Sipas këtij sondazhi, Partia Socialiste bashkë me LSI dhe G 99 nuk do të mund të kalojnë kufirin e 50 për qind të votave të mundshme të marra së bashku në këto zgjedhje. Madje të marra së bashku ato llogariten në kufijtë e jo më shumë se 47.3 për qind të votave në total.
Të tjera
Një moment që mund të lexohet se koalicionet do të jenë vendimtarë për qeverinë e re. “Gani Bobi” ofron dhe anketimin publik mbi qëndrimin pozitiv ndaj partive politike.
Partia Demokratike kryeson me 53.7 për qind, pasuar nga PS me 46.3 në vend të tretë LSI dhe më pas G 99, me repsektivisht 29.7 për qind dhe 34.9 për qind.
Në qëndrimin ndaj liderëve dukshëm dallon Presidenti Topi në 76.7 për qind pasuar nga kryetari i PS Edi Rama me 53.7 për qind, më pas Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli me një diferencë të vogël me kryeministrin Berisha dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta pozicionohet i pesti dhe me pas ish-kryetari i PS Fatos Nano.
Por pyetjes se cili nga këta politikanë mund të ishte kryeministri më i mirë, të anketuarit i përgjigjen në favor të Edi Ramës me 35.1 për qind, menjëherë më pas me 0.2 për qind më pak kryeministri Berisha dhe vetëm 9.9 për qind janë në favor të Ilir Metës si kryeministër i vendit.
Përfundimet
Në shpjegimet e tij, gjatë konferencës së shtypit me gazetarët, Shkëlzen Maliqi, drejtori i Qendrës “Gani Bobi”, që ka organizuar sondazhin më të fundit, bëri të ditur, se, qëndrimi pozitiv ndaj PD-së, është vërejt
ur në sondazh nga votues të kësaj partie, por edhe jo votues të saj.
Në shpjegimet e tij Maliqi, lidhur me diferencën e votave që ka marrë PD krahasuar me PS, sqaroi se, djathta në pushtet, ka mundur të korrë simpatinë e zgjedhësve, ndërsa evidentoi se e majta e përçarë, ka problemet e lidershipit, ende të pazgjidhura. Duke shpjeguar më tej edhe qëndrimin ndaj G 99, Shkëlzen Maliqi shpjegoi se në një masë të konsiderueshme, 38.4 për qind të pyeturit kishin mendim negativ për këtë grupim dhe se 26.6 për qind e të tjerëve të pyetur ishin indiferentë ndaj ekzistencës së kësaj force politike.
...