Topalli: Zbatimi i ligjit të lustracionit do të realizohet brenda standadeve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli garantoi të martën raporterët e Këshillit të Evropës (KE), se "zbatimi i ligjit të Lustracionit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve", si dhe ftoi KE-në që të monitorojë zbatimin e këtij ligji. Zyra e shtypit pranë Kuvendit të Shqipërisë bëri të ditur se znj. Topalli priti në një takim raporterët e Këshillit të Europës, David Uilshire dhe Jako Lakso, të cilët nisën një ditë më parë një vizitë në Tiranë. Kryetarja Topalli bëri një ekspoze të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mbi bazën ligjore dhe infrastrukturore të tyre, si dhe vlerësoi frymën e konsensusit politik për miratimin e Kodit Elektoral dhe zgjedhjen e organeve, që do të administrojnë zgjedhjet. Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe shprehu vullnetin e plotë se prioritet mbi të gjitha prioritetet, mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Duke u ndalur tek ligji i lustracionit, kryeparlamentarja tha se "pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, ky është një variant më i butë se në vendet anëtare të BE-së. "Ky është një ligj i domosdoshëm, për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja", theksoi znj.Topalli.
...