E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD fiton thellë përballjen elektorale me socialistët

04/08/2009  Zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën e Ballagatit të Lushnjës

Partia Demokratike ka fituar komunën e Ballagatit të rrethit të Lushnjës në zgjedhjet e pjesshme lokale, zhvilluar të dielën e fundit. Komisioni zonal i administrimit të zgjedhjeve i komunës së Ballagatit shpalli fitues kandidatin e Partisë Demokratike Sherbet Sharka kundër rivalit të Partisë Socialiste Neshat Sharka. Në këto zgjedhje, të cilat edhe pse të lëna në hije nga lidershipi i dy partive të mëdha politike, të cilat morën pjesë, PD-ja e PS-ja, më të vlerësuarit rezultuan të djathtët. Sipas rezultateve përfundimtare të KZAZ-së, kandidati demokrat mori 1065 vota, kandidati socialist arriti të merrte 394 vota dhe 20 fletë votimi u shpallën të pavlefshme. Këto zgjedhje të pjesshme lokale u zhvilluan shumë pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Pas fitores së përballjes së madhe politike Partia Demokratike fiton sërish kundër forcës politike kryesore rivale dhe më të madhes në opozitë. Përmes këtij votimi, që në dukje flet vetëm për një komunë, në thelb përmban një mesazh për krerët e partive politike, pasi zgjedhjet në komunën e Ballagatit u zhvilluan pak kohë pasi demokratët dhe socialistët u përplasën fuqishëm për rezultatin e zgjedhjeve politike të 28 qershorit për Qarkun e Fierit. Socialistët pretendonin për parregullsi të mëdha gjatë procesit të numërimit të votave e për këtë bënë përgjegjës komisionerët e demokratët, por mbi të gjitha lidershipin e kësaj partie, pasi sipas tyre nga selia e PD-së dolën urdhra për të penguar e bllokuar numërimin e votave e për të tjetërsuar rezultatin e votës në këtë qark. Nga ana e saj PD-ja theksoi se janë pikërisht komisionerët e PS-së dhe krerët e kësaj partie që tentuan manipulimin e zgjedhjeve. Madje, Kryeministri Sali Berisha, kryetar i PD-së, deklaroi se në Qarkun e Fierit koalicioni i djathtë duhej të kishte marrë patjetër një mandat deputeti më shumë. Por sipas tij, presioni i madh e i paprecedent i PS-së nxori rezultatin 9 mandate për PS-në, 6 për PD-në dhe 1 për LSI-në.

Zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetarin e ri të komunës së Ballagatit të rrethit të Lushnjës, pjesë e Qarkut të Fierit, u zhvilluan të qeta dhe pa probleme në tetë qendrat e votimit. Sipas të dhënave zyrtare, në votime morën pjesë rreth 1460 zgjedhës nga 2600 votues të regjistruar në listat zgjedhore. Në këto zgjedhje ishin të regjistruar 2600 zgjedhës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë përgatitjes së kësaj përballjeje elektorale ngriti 8 qendra votimi. Shkaku i rivotimit për kryetarin e komunës së Ballagatit rrjedh që prej shkurtit të 2007-s, nga zgjedhjet e së cilës doli fitues Fatos Sharka. Ai ndiqet penalisht për shpërdorim detyre dhe dënohet për këtë vepër penale me 2 muaj burgim dhe 300 000 lekë gjobë. Qeveria me një vendim të marrë në dhjetor të vitit 2008 vendosi të shkarkojë kryetarin e komunës së Ballagatit. Marrja e këtij vendimi u propozua nga ministri i Brendshëm rreth një muaj më parë. Komuna e Ballagatit është një nga komunat më të mëdha të rrethit të Lushnjës, me rreth 3600 banorë të shpërndarë në 8 fshatra. Qendra e komunës ndodhet 10 km në juglindje të qytetit të Lushnjës. Ajo ka nën administrim një territor me sipërfaqe rreth 1800 ha, ku dominojnë toka arë dhe blloqe me frutikulturë. Komuna është e pasur me rezervuare natyrore. Arsyeja erivotimit në Ballagat

Zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën e Ballagatit u zhvilluan pas shkarkimit për abuzime me detyrën të ish-kryekomunarit Fatos Sharka. Zgjedhjet në këtë komunë janë dekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi për t’u zhvilluar më 2 gusht pas shkarkimit nga detyra të kryekomunarit të mëparshëm për shpërdorim detyre. Shkaku i rivotimit për kryetar komune në Ballagat rrjedh që prej shkurtit të 2007-s, nga zgjedhjet e së cilës doli fitues Fatos Sharka. Ai ndiqet penalisht për shpërdorim detyre dhe dënohet për këtë vepër penale me 2 muaj burgim dhe 300 000 lekë gjobë. Qeveria me një vendim të marrë në dhjetor të vitit 2008 vendosi të shkarkojë kryetarin e komunës së Ballagatit. Marrja e këtij vendimi u propozua nga ministri i Brendshëm rreth një muaj më parë. Komuna e Ballagatit është një nga komunat më të mëdha të rrethit të Lushnjës, me rreth 3600 banorë të shpërndarë në 8 fshatra.

Deputët e 28 qershorit nga Qarku i Fierit

Mandatet për deputetë që dolën nga Qarku i Fierit ishin më të debatuara në zgjedhjet e përgjithshme politike të 28 qershorit. Në këtë përballje Partia Socialiste arriti të marrë 9 mandate, Partia Demokratike mori 6 mandate dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vetëm një mandat për deputet. Në këtë qark PD-ja do të ketë për deputetë Sokol Olldashin, Ilir Banon, Mesila Dodën, Enkelejd Alibeajn, Vasillaq Ngresin dhe Fatos Bejën. Ndërsa PS-ja do të ketë për deputetë Gramoz Ruçin, Ermelinda Meksin, Albert Çaçin, Fatos Tushen, Armando Subashin, Bashkim Finon, Ervin Koçin, Arben Çukon dhe Piro Lutajn. I vetmi mandat i LSI-së është ai i fituar nga Dritan Prifti. Për Fierin dy partitë e përplasën ashpër me deklarata e qëndrime të prera. Gjatë numërimit të votave koalicioni i djathtë për disa momente arriti të merrte 7 mandate, ndërsa ai i majtë 8. Me bllokimin e numërimit të votave në disa qendra KQZ-ja mori vendimi që ato të numëroheshin në ambientet e saj në Tiranë. Pas përfundimit të numërimit rezultoi se PS-ja mori 9 mandate. Por debatet mes dy partive vazhduan në KQZ, pasi PD-ja kërkonte mandatin e shtatë. Pas shqyrtimeve KQZ-ja vendosi që mandati ishte i PS-së. PD-ja ankimoi procesin në Kolegjin Zgjedhor, i cili pas shqyrtimit rrëzoi ankimimet e Partisë Demokratike, duke lënë në këtë mënyrë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Qëndrimi i PD-së

“Rama tenton të fshehë humbjen në zgjedhje”

Partia Demokratike ka hedhur poshtë deklaratën e deputetit socialist Taulan Balla, i cili akuzoi familjen e Kryeministrit Sali Berisha për vjedhje të pasurive kombëtare. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se këto deklarata nuk kanë asgjë të vërtetë dhe se bëhet me qëllimin e vetëm për fshehjen e humbjes së zgjedhjeve parlamentare nga PS-ja. “Edi Rama, humbësi i madh, kryetari pa mandat i PS-së, duke lënë mënjanë pasuritë që ka nëpër Europë apo ndërtimin e fshatrave turistike në Spanjë, ndërtimin e qytezës së përbashkët me Delijorgjin apo 70% e lejeve të ndërtimit në Tiranë, që ndan me Eftimët e tij, nxori për të komentuar pasuritë e Kryeministrit e familjarëve të tij trafikantin e qenieve njerëzore apo ortakun e narkotrafikantit Fatos Gjura, Taulant Ballën”, - deklaroi Mëhilli. Duke përcjellë qëndrimin zyrtar të selisë blu, zëdhënësja demokrate tha se me zhurmën e tij kryesocialisti Rama “përveçse përpiqet të fshehë humbjen, përpiqet mbi të gjitha të fshehë frikën dhe tronditjen që e ka kapur nga pasuritë që i ka përvetësuar dhe i fsheh me një sërë kompanish, si “2K”, “Edil”, “Atelier 4” apo studion e Shkrelit etj., etj.”. “Ndërsa zëdhënësit të tij, ortakut të narkotrafikantit Fatos Gjura, i themi se janë të paktë ata që nxjerrin të ardhurat dhe sigurojnë jetesën me para të nxjerra nga droga apo si trafikant qeniesh njerëzore dhe se ty të pret i njëjti fat si Fatosi”, - deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›