Netanjahu në Moskë, për sanksione kundër Iranit
Vizita
Kryeministri i Izraelit theksoi se do të angazhohet për ndëshkime të reja kundër Teheranit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili ndodhet në Moskë për një vizitë zyrtare treditore, tha se do të kërkojë ndihmën e saj për pozicionim ndaj Iranit, që akuzohet se kërkon të ngjallë dyshime mbi natyrën e programeve bërthamore pas vendimit për të pasuruar uraniumin në masën 20 për qind, duke hedhur poshtë propozimin e bërë nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore për pasurimin tij jashtë vendit. Kryeministri izraelit do të përpiqet të bindë Moskën të mos i shesë Teheranit sistemet raketore S-300, që mund të përdoren për mbrojtjen e siteve nukleare iraniane dhe do ta bënin të pamundur sulmin e tyre në të ardhmen. Në fakt, shteti hebraik nuk e ka përjashtuar asnjëherë opsionin ushtarak për të penguar Iranin të prodhojë një bombë bërthamore. “Rusia është një aleat dhe partner i rëndësishëm dhe ne kemi ndërmend të diskutojmë për Iranin. Sanksione të ashpra duhet të ndërmerren ndaj Teheranit. Këto sanksione, ashtu siç ka thënë Hilari Klinton, duhen të jenë paralizuese. Moska nuk ka qenë e gatshme të mbështesë Perëndimin në nismën për një raund të ri sanksionesh ndaj Teheranit”, theksoi ai. Negociatat pritet të përqendrohen edhe në ngecjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Pavarësisht faktit se Netanjahu ka zhvilluar një vizitë të fshehtë në Rusi, në shtator të vitit të kaluar, e cila u zbulua nga mediat, kjo do të jetë vizita e parë zyrtare në Rusi, që nga momenti kur mori detyrën e Kryeministrit, në mars të vitit të kaluar. Ndërkaq sekretarja amerikane e Shtetit deklaroi nga Katari, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, se SHBA-të po përgatiten bashkë me aleatët e tyre të marrin masa të reja për ta detyruar Iranin të rishohë vendimet provokuese për çështjen bërthamore. Klinton, e cila të hënën do të vizitojë Arabinë Saudite, kërkon të marrë mbështetjen e vendeve të Gjirit për çështjen iraniane dhe hipotezën e sanksioneve të reja kundër Teheranit. “Po punojmë shumë me partnerët tanë rajonalë dhe ndërkombëtarë për ta bindur Iranin që të ndryshojë rrugë”, u shpreh ajo në Forumin Islamik Botëror që po mbahet në Doha, në Katar. Ajo e ftoi republikën islamike të rishohë politikën e saj të rrezikshme, përndryshe alternativa e vetme për komunitetin ndërkombëtar do të jetë ajo që do ta bëjë Teheranin për të paguar një çmim shumë të lartë për provokimet e tij të vazhdueshme mbi një çështje delikate. Megjithatë, Irani duket më sypatrembur se kurrë. Ai ka pasuruar sasinë e parë të uraniumit dhe Presidenti Ahmadinexhad e ka shpallur atë një vend bërthamor, duke këmbëngulur se nuk ka ndërmend të ndërtojë bombën bërthamore, por ta përdorë atë thjesht për qëllime civile.
#