Ish-polici grek, abuzim me 12 të mitur shqiptarë
Skandal në Athinë, policia arreston pedofilin në apartamentin e tij
Dje ka qenë fundi për një pedofil pervers grek në Athinë, për abuzimin e tij me 12 fëmijë shqiptarë, ndërsa hetimet vazhdojnë dhe për shfrytëzimin edhe të disa të tjerëve. Ngjarja që ka tronditur opinionin grek në kryeqytetin Athinë, ka precipituar për tre vjet rresht në rajonin Kato Patision, ku dhe 47–vjeçari grek, një ish-polic, emri i të cilit nuk u bë publik nga zyrtarët e policisë, u arrestua për katër akuza fillestare dhe dyshime për disa të tjera.
“Shtetasi grek 47-vjeçar akuzohet se në periudhë të vazhdueshme disamujore ka abuzuar me fëmijë shqiptarë të moshës nga 13 deri në 16 vjeç, të cilët i detyronte të shihnin materiale me përmbajtje pornografike dhe më tej kryente me to vepra të turpshme dhe ushtronte terror psikologjik, në mënyrë që ata të mos tregonin ato që ndodhnin dhe njëkohësisht u jepte sasi të hollash dhe sende e shërbime të tjera”, bënë të ditur burime zyrtare nga Policia e Greqisë.
Oficerët e Nëndivizionit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Policinë e Greqisë në Athinë konfirmuan se ish-polici 47-vjeçar përballet aktualisht me akuzat e “shfrytëzimit dhe fyerjes së dinjitetit seksual”, “pornografinë e fëmijëve”, “korruptimin e të miturve për qëllime homoseksuale” dhe “abuzim seksual me të mitur”.
Nga hetimi doli se 47-vjeçari i “peshkonte” fëmijët shqiptarë, që të gjithë nxënës në shkollat shtetërore greke të ciklit të ulët, duke i zënë “miq” ata në një internet-cafe, e cila ndodhet në zonën e Kato Patision, ku edhe banonin pedofili dhe të vegjlit shqiptarë me familjet e tyre. “Në shënjestrën e 47-vjeçarit, ishin vetëm djem shqiptarë të mitur, të cilët, pasi zinte miqësi në internet-cafe, arrinte t’i mashtronte, duke u dhënë abonim falas për periudha të ndryshme kohore në qendrën e internetit dhe më pas i ftonte në shtëpinë e tij aty afër dhe vinte në zbatim planin pervers”, detajuan burime nga Policia e Sektorit për Mbrojtjen e të Miturve në Policinë e Greqisë që po i vazhdojnë hetimet.Pasi i fuste në shtëpi dhe kishte fituar besimin e tyre, 47-vjeçari u servirte përmes televizorit, DVD me përmbajtje të fortë pornografike dhe në këtë fazë, shfrytëzonte trupin e djemve shqiptarë, duke abuzuar me ata seksualisht, duke kryer vepra të turpshme dhe marrëdhënie homoseksuale me ta, - bëhet e ditur nga hetimi policor. Sakaq policia bën të ditur dhe detaje të tjera: 14 vjet më parë, në vitin 1996, i dyshuari i arrestuar dje në Athinë, atëherë 33 vjeç, është larguar nga radhët e policisë, nën dyshimet për akte pedofilie, që nuk përfunduan me dërgimin e ndonjë dosjeje penale në gjykatë.
Krahas këtyre akteve perverse, 47-vjeçari nuk mjaftohej me kaq. Policia e krimit elektronik zbuloi se ai kishte krijuar profilet në faqet e rrjeteve sociale si “Facebook” dhe duke folur me përdoruesit e mitur, krijonte njohje me ta dhe pasi fitonte besimin e tyre, i ftonte në shtëpi për të abuzuar seksualisht. Ndërkohë në kompjuterët e tij, policia zbuloi shumë materiale pornografike me bazë fëmijët. Policia tha se hetimi nisi pak javë më parë, kur një qytetar grek, banor i zonës së Kato Patision në Athinë, denoncoi se shihte 47-vjeçarin në internet-cafe të qëndronte dhe bisedonte vazhdimisht me djem të mitur.
Policia ka filluar kërkimin dhe këtë herë më e vendosur, më në fund e arrestoi dhe dje pasdite, prokuroria çoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës dosjen me akuzat ndaj ish-policit, të cilit iu dha masa e sigurisë së arrestit me burg. Nga ana tjetër, hetimi po vazhdon për të identifikuar dhe djem të tjerë shqiptarë që dyshohet të jenë shfrytëzuar nga pedofili që dikur mbante uniformën e policisë.
#