3 arsyet pse s’jep dorëheqjen kryetari i Gjykatës Kushtetuese

- Vladimir Kristo ka përzgjedhur të ruajë privilegjet e rrogave e të kushteve, duke shpalosur një defiçencë në standardet profesionale dhe në etikën institucionale.
- Kryetari i Gjykatës ndihet i bllokuar, pasi ai kërkon t’i japë kohë presidentit që të përfundojë sipas dëshirës “tenderin” për përzgjedhjen e pasardhësit
- Arsyeja e tretë që e bën Kriston të heshtë, është droja se mos informacione shantazhuese për proceset gjyqësore me probleme mund t’i jepen medias, duke i rrënuar përfundimisht karrierën
Në përplasjen e djeshme mes mazhorancës dhe zyrës së presidentit të republikës, opinionit publik po i del nga vëmendja një copë e rëndësishme e mozaikut të çështjes; Vladimir Kristo. Zotëria ka konsumuar mandatin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 3-vjeçare, por s’ka denjuar të ngrihet në lartësinë e precedentit të krijuar, kur paraardhësi i tij paraqiti zyrtarisht dorëheqjen, sapo i skadoi ky mandat. Jo, zoti Kristo s’ka preferuar ta bëjë këtë dhe sot e gjithë ditën nuk i thotë publikut nëse vijon ta ushtrojë ende detyrën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, nëse është vakant vendi, apo nëse ndonjë prerogativë presidenciale ia ka zgjatur atij mandatin përtej mandatit që përcakton kushtetuta. Vladimir Kristo s’ka mundur të japë dorëheqjen (edhe pse ka patur zgjuarsinë të mos japë viston për një aventurë tjetër pa lavdi të rikandidimit për një mandat të dytë kryetarllëku), për arsye që kanë lidhje personalisht me të, por që së pari janë të lidhur me njëmijë fije me mosveprimin që prej më shumë se dy muajsh ka përfshirë institucionin e presidencës. Vladimir Kristo ka preferuar së pari të vijojë të ruajë privilegjet kushtetuese, ligjore apo edhe të një profili më të ulët që rrjedhin nga këneta funksionale në të cilën po noton aktualisht Gjykata Kushtetuese. Duke mos dhënë formalisht dorëheqjen, zoti Kristo ka përzgjedhur së pari të rezervojë edhe për ca kohë privilegjet e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke e anuar shumë peshoren për kah defiçenca morale e profesionale, e jo për nga prerogativat institucionale. Helbete, është gusht e në kënetën ligjore ku endet aktualisht kryetari i Gjykatës Kushtetuese, më mirë të luaj palo-kryetarin, sesa t’i hap andralla vetes dhe të tjerëve. Së dyti, Vladimir Kristo nuk po e jep dorëheqjen, për shkak të ortakëria trevjeçare plot dritëhije që ka ushtruar me presidentin e republikës e detyron atë që t’i gjindet në këtë ditë, duke u përpjekur t’i japë një dorë në kohën që presidentit të republikës i duhet deri në skicimin sipas dëshirës të “tenderit” për kandidaturën e re që do të gëzojë postin e kryetarit të Gjykatës. çështja nuk është shumë e thjeshtë e nga presidenca thanë dje se procedurat e tenderit do të zgjasin edhe dy muaj të tjerë (çudi, vetëm për t’u konsultuar pesë gjyqtarë është kufizuar çështja aktualisht), prandaj Vladimir Kristo ka menduar t’i gëzojë ende privilegjet, por edhe t’i japë kohën e duhur zhvillimit të këtij “tenderi” kaq specifik. Së treti, i duhet t’i njohim gjyqtarit Vladimir Kristo edhe drojën që e shoqëron në ndërmarrjen e aktit të dorëheqjes në këtë moment kaq të sikletshëm të presidentit të republikës. Prishja e ortakërisë trevjeçare, për hir të ndërgjegjes profesionale, do të sillte irritimin e institucionit të presidencës, prej nga mund t’i jepeshin publikut, informacione të rëndësishme - paçka se jozyrtare – për dosje me probleme, që në një kohë afatmesme, mund të rrënonin krejt ardhmërinë profesionale të Kristos. Edhe kjo arsye e tretë ka peshuar shumë, prandaj Vladimir Kristo hesht si fije bari këto ditë, duke mos i thënë publikut a e ndjen veten ende kryetar të Gjykatës Kushtetuese, pasi ka 2 muaj që i ka skaduar mandati dhe a i ka paraqitur formalisht dorëheqjen presidentit të republikës, duke mos pranuar që ta marrin si një kryetar-regjent, një prerogativë që nuk ia jep ligji organik për institucionin.
...