E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja e PS-ja pranojnë komisionin hetimor

Tiranë, 3 gusht - Pas bisedimeve pa rezultat mes Astrit Patozit dhe Gramoz Ruçit, dy partitë e mëdha politike në Shqipëri kanë nisur edhe njëherë komunikimin në distancë për çështjen e hetimit të zgjedhjeve. Partia Demokratike thotë se është e gatshme të votojë në çdo komision hetimor në parlament, por lë të kuptohet se propozimet e Partisë Socialiste nuk respektojnë rezolutën e Parlamentit Evropian, që kërkon hetimin e materialeve zgjedhore. “Grupi parlamentar i PS-së ka bërë propozimet e tij, në të cilat rikonfirmohen, në përgjithësi, pozicionet e tyre të mëparshme. Grupi parlamentar i PD-së konsideron se, në respekt të Kushtetutës, të Kodit Zgjedhor dhe të vendimeve të gjykatave të vendit, rezoluta e Parlamentit Evropian mund dhe duhet të zbatohet në frymë dhe në germë. Rezoluta e Parlamentit Evropian është e qartë si kristali në qëndrimet e saj. çdo interpretim partiak i saj është i padobishëm”, u shpreh deputeti demokrat Viktor Gumi.
Në anën tjetër, dhe PS-ja ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor. Në një deklaratë për shtyp, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se negociatat me PD-në po vazhdojnë, por është kjo e fundit ajo që, sipas tij, s’ka vullnet për të zbatuar rezolutën e Parlamentit Evropian. Negociatat janë në vazhdim dhe Partia Socialiste ka bërë propozime të reja. Reforma e re zgjedhore kushtëzohet nga hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, ka pohuar Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›