E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja i ofron PS-së katër mundësi për rrugëdalje

10/05/2010 Mazhoranca gati të negociojë me opozitën për daljen nga kriza

Presidenti i Republikës pritet të drejtojë bisedimet

Krerët e partive kryesore politike pritet të bëhen pjesë e bisedimeve, të cilat do të kenë për qëllim daljen nga ngërçi i tejzgjatur politik. Mazhoranca nga ana e saj ka përgatitur një paketë propozimesh, e cila pritet t’i dorëzohet opozitës. Për shumicën parlamentare vënia në funksionim e komisionit hetimor parlamentar, mundësia që opozita ka për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, hetimi i të gjitha pretendimeve nga 100 prokurorë të pavarur dhe lënia e ekskluzivitetit Partisë Socialiste për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, janë pikat që mund të diskutohen me opozitën. Bisedimet mes palëve të përfshira në konfliktin politik priten të drejtohen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili fundjavën e kaluar zhvilloi takime intensive për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje. Gjatë të premtes së kaluar, kreu i shtetit fillimisht është takuar në zyrën e tij me zëvendëskryeministrin Ilir Meta, më pas me ambasadorin amerikan Xhon Uidhers në rezidencën e këtij të fundit, me kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan dhe ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse. Gjatë këtyre takime është biseduar mbi protestën e opozitës dhe në mënyrë të veçantë duke iu referuar kryesisht grevës së urisë filluar nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e kësaj force politike. Duke marrë shkas edhe negociatat mes Kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama, të drejtuara në muajin shkurt të këtij viti nga ana e Presidentit Topi, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pritet që edhe këto bisedime të drejtohen nga kreu i shtetit. Nëse pas atyre negociatave socialistët ndërprenë bojkotin dhe hynë në Parlament për të bërë betimin, nuk është e sigurt nëse tani PS-ja do të pranojë një ndër katër ofertat e mazhorancës. Krerët e koalicionit që përbën shumicën parlamentare i kanë artikuluar edhe më parë këto oferta, të cilat janë refuzuar nga opozita.

Lajmi i “Metropol”

Gazeta “Metropol” ka bërë të ditur rreth një muaj e gjysmë më parë nisjen e punës mbi një draftpropozimesh, të cilin do t’ia dorëzojë Partisë Socialiste, me qëllim kapërcimin e ngërçit politik prej shumë muajsh. Atëherë nga burimet u mësua se lidershipi demokrat kishte përcaktuar deputetët Ilir Rusmali dhe Aldo Bumçi, përkatësisht kryetar i komisionit parlamentar të Çështjeve Ligjore dhe anëtar i këtij komisioni, për të përgatitur draftin përkatës, i cili synon bërjen e transparencës së zgjedhjeve politike të qershorit 2009.

Qëndrimi Berishës

Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se Qeveria respekton të drejtën kushtetuese për protesta në mënyrë paqësore. Ai është shprehur i gatshëm për të biseduar me lidershipin e opozitës dhe për të bërë transparencën ndaj gjithçkaje që pretendon opozita. “Kam qenë dhe jam i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, transparencën e plotë të çdo procesi në këtë vend. Shqipëria është një vend me shtet ligjor dhe disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të saj”, ka deklaruar ai.

100 prokurorë

Partia Demokratike kërkon që të gjitha pretendimet e opozitës në lidhje me zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 të mund të hetohen nga një grup prej 100 prokurorësh të pavarur. Kjo ofertë është bërë publike fillimisht rreth një muaj e gjysmë më parë nga Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, objekt i hetimit të prokurorëve do të jetë gjithçka që lidhet me procesin zgjedhor të 28 qershorit. Po ashtu, ai premtoi se Qeveria do të garantojë një buxhet të mjaftueshëm për të përmbushur plotësisht këtë detyrë.

Mendimi i gjykatave

Varianti i dytë që mazhoranca do t’i ofrojë opozitës për të dalë nga kriza politike ka të bëjë me vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese. Për demokratët, lidershipi i Partisë Socialiste mund t’i drejtohet zyrtarisht kësaj Gjykate, duke përcjellë ankimimin e saj. Në këtë mënyrë, më pas mund të kërkohet vënia në lëvizje e mekanizmave të tjerë ligjorë, siç është ai i kërkimit të mendimit nga ana e Komisionit të Venecias, dhe pranimi i vendimit të saj lidhur me interpretimin për hapjen e kutive të votimit.

Komisioni hetimor

Mazhoranca është e gatshme që të nisë zyrtarisht nga puna në komisionin hetimor parlamentar të ngritur disa javë më parë, i cili ka si objekt të hetimit transparencën e zgjedhjeve. Shumica parlamentare i ofron opozitës shumicën në këtë komision dhe drejtimin e saj, ndërkohë që hetimi sigurisht të kryhet mbi baza ligjore. Gjithashtu, mazhoranca i ofron opozitës që të ndërmarrë të gjitha amendamentet në Kodin Zgjedhor, që ajo mendon se janë të nevojshme për zgjedhje të ndershme.

Meta: Dialogu është i vetmi mjet që përmbyll këtë sakrificë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, pak ditë më parë ka shprehur bindjen se kapërcimi i ngërçit të thellë politik mes mazhorancës dhe opozitës mund të kapërcehet përmes dialogut. Në analizën ndaj zhvillimeve të fundit, duke u nisur nga protesta e deri te greva e urisë e deputetëve opozitarë, Meta thekson se bisedimet mes aktorëve më të rëndësishëm të të dyja palëve të përfshira tashmë në këtë konflikt, do të sjellin paqen. Sipas Metës, paqja mes palëve mund të arrihet pas një takimi mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama. “Jam i bindur se zoti Berisha është i hapur për t’u takuar me zotin Rama, pasi është vullneti i mazhorancës për të ecur drejt një zgjidhjeje demokratike dhe jokonfrontuese. Vullneti duhet të jetë nga të gjithë dhe e theksoj se dialogu është i vetmi mjet që përmbyll këtë sakrificë dhe çon përpara pretendimet e tyre”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, njëherësh kryetar i LSI-së.

Alibeaj: Zgjidhja vetëm në respekt të Kushtetutës

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar dje se dalja nga ngërçi që ka përfshirë politikën shqiptare mund të arrihet vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet që rrjedhin prej saj. Duke vlerësuar si tepër normale paketën prej katër pikash që mazhoranca i ofron opozitës për zgjidhjen e situatës, ai thotë se më tepër nuk mund të tolerohet, pasi në të kundërtën shkohet në drejtim të shkeljes së ligjeve të vendit dhe parimit demokratik të ndarjes së pushteteve. “Duke qenë që është një fenomen ligjor, edhe zgjidhja do të jetë dhe mund të jetë vetëm ligjore. Këto janë të vetmet alternativa, nuk ka të tjera mundësi jashtë Kushtetutës. Sigurisht që këto do të jenë oferta, mund të jenë oferta politike t’i jepen Edi Ramës, nëse ai do pranojë të ulet në tryezën e dialogut, seriozisht ama”, ka thënë ai në një intervistë televizive. Sipas tij, tashmë nuk bëhet fjalë për të gjetur një zgjidhje, por po për të bindur PS-në se rruga e vetëm është respektimi i ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›