PD-ja i thotë jo hetimit të zgjedhjeve
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, e konsideron të pamundur hetimin kuvendor
TIRANË - Demokratët i thonë jo kërkesës së socialistëve për hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit.
Partia Demokratike e konsideron absurd kushtin e PS-së për ngritjen e një komisioni për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke iu përgjigjur prerë socialistëve se kutitë e kontestuara nuk do të hapen.
Astrit Patozi, kryetari i grupit kuvendor të PD-së, e ka argumentuar kushtin kryesor të selisë rozë për t'u rikthyer në Parlament, si një alibi të thjeshtë të Edi Ramës për interesat e veta personale.
Ai ka theksuar se politika, në këtë rast Kuvendi, nuk mund të ndërhyjë në një çështje për të cilën ka dhënë verdiktin e vet drejtësia, siç është ajo për gjykimin e parregullisve të pretenduara në zonat zgjedhore të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës.
Sipas tij, asnjë komision hetimor parlamentar nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor si institucioni më i lartë vendimmarrës për çështjet zgjedhore.
"Na kërkuan të hapen kutitë, që është njëri nga kushtet. Por unë mund të them se Sali Berisha, PD-ja dhe askush tjetër as i hap dhe as i mbyll kutitë. Kutitë i hapin e i mbyllin institucionet, votat i numërojnë institucionet dhe institucionet kanë folur.
Për sa kohë institucionet kanë folur, ne të tjerët duhet të heshtim", - tha Patozi, sot gjatë një deklarate për mediat. Sipas tij, kërkesat e bëra publike nga PS-ja nuk kanë qëllim tjetër, përveçse të justifikojnë humbjen dhe të rikonfirmojnë Ramën në krye të kësaj partie.
"Të ashtuquajturat kushte nuk janë kushte për mazhorancën, por thjesht dhe vetëm që të rimandatohet kryetari i PS-së dhe që ai të fitojë debatin e brendshëm në partinë e tij. Kushtet janë absurde dhe këtu kam parasysh të gjitha ato në tërësinë e tyre.
Pra, ato nuk janë kushte, por janë pretekste për të justifikuar bojkotin, për të justifikuar humbjen. Janë alibi për humbjen", - tha Patozi.
Patozi shprehu besimin se pavarësisht situatës aktuale, PS-ja do të rikthehet në Parlament në respekt të elektoratit të saj. Deklarata e Patozit vjen pas asaj që bëri kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili i konsideroi të parealizueshme kushtet e vendosura nga Partia Socialiste.