E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja mbledh Kuvendin, Berisha hap pazarin: “Kush të dojë të vijë të bashkojë votat me ne”



Partia Demokratike mblodhi dje Kuvendin e Shqipërisë. Opozita paralajmëroi bojkotimin e seancës që gjatë paradites së djeshme. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh se kryetarja e Kuvendit ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke thërritur një seancë parlamentare pa u miratuar nga Konferenca e Kryetarëve. Leskaj u shpreh se deputetët janë njoftuar nëpërmjet mesazheve telefonike për seancën e pasdites së djeshme. Ajo e cilësoi anormal një veprim të tillë dhe theksoi se PS-ja nuk do të marrë pjesë në seancë. Pavarësisht qëndrimit të PS-së, demokratët e mblodhën të vetëm seancën e pasdites. Ata miratuan me 73 vota pro ministrin e ri të Punës dhe Çështjeve Sociale, Viktor Gumin. Ndërkohë që nuk arritën të hidhnin për votim projektligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, e akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Berisha gjithashtu i bëri thirrje opozitës ose ndonjë partie tjetër të majtë që të vijë në seancë dhe të bashkojë votat me PD-në për të miratuar ligjin për Gjykatën Administrative, i cili kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash. “Opozita urdhërohet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, të cilin ky ligj nuk e lejon më ta trajtojë Bashkinë si oborrin e tij personal. Ky ligj nuk e lejon më atë që nga qindra firma ndërtimi në Tiranë të preferojnë vetëm 4 prej tyre. Ky ligj nuk e lejon kryetarin e Bashkisë që nga 10 studio projektimi të përzgjedhë vetëm dy studio dhe t’u japë atyre vetëm në një vit 59 leje ndërtimi. Ne shprehim keqardhjen se nuk e votojmë dot sot. Mendoj se pavarësisht nga fushata elektorale, në rast se pala tjetër ose në rast se LSI-ja, ose ndonjë forcë tjetër politike që dëshiron të bashkojë votat me ne, të mblidhemi ta votojmë këtë ligj në respekt të biznesit”, - është shprehur Berisha. Gjatë mbledhjes së djeshme të Kuvendit është miratuar edhe raporti i Komisionit hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë, Edi Rama.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›