Berberi: “Look modern? Salihi është konservator”
Hamdi Salihi është një futbollist që nuk e ka qejf look-un modern. Kështu mendon berberi ku qethen lojtarët e skuadrës austriake të SV Ried, Heinc Valter Klajn, në berberanën e të cilit ndodhen disa dhjetëra foto dhe autografe të nënshkruara nga lojtarët e Riedit.
Sipas Klain, lojtarë të tillë si Peter Hakmair e Anel Haxhiç u pëlqen të ndryshojnë shpesh lukun e tyre, por ndryshe ndodh me sulmuesin shkodran. “Hamdi Salihi është një një tip më vete. Ai është në këtë pikëpamje konservator. Por, ai nga ana tjetër më ka bërë përshtypje, pasi për një kohë të shkurtër ka mësuar shumë mirë gjermanisht. Kjo më imponon mua respekt”, - citohet berberi Valter Klain nga faqja austriake nachrichten.at në lidhje me klientin e tij shqiptar.
Hamdi Salihi është një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit austriak dhe gjatë këtij sezoni ka shënuar 11 gola në kampionat dhe pesë në Kupën e Austrisë. Dy golat e tij të fundit në Austri i shënoi kundër Matersburgut, ndërsa shënoi edhe një gol në barazimin 3-3 të Shqipërisë B kundër Milanit në ndeshjen e vlefshme për trofeun e dyte të “Taçi Oil Albania Reads”.
Skela: “Hëngrëm një grusht në fytyrë”
Energi Kotbus pas humbjes me Borusian e Mënshengladbahut (1-0) ndodhet shumë pranë rënies nga Bundesliga 1, ashtu si Karlsruhe e Edmond Kapllanit. Fantazisti shqiptar Ervin Skela tha pas ndeshjes: “Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme si për ne ashtu dhe për Gladabun. Ne e dinim, që situatat standarde në një takim të këtij lloji luajnë një rol shumë përcaktues. Ne nuk ia dolëm dot, edhe pse patëm disa mundësi për të shënuar. Rezultati ishte si një grusht në fytyrë për ne. Tani ne nuk kemi më asgjë në dorën tonë”. Presidenti i Energisë, Ulrih Lepsh: “Humbja ishte shumë e hidhur për ne, luajtëm shumë nervozë”.
Xhenoa frikë nga Bogdani
Xhenoa lufton në Serinë A për të zënë një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin a ardhshëm. Në fundjavë do të përballet me Kievon e sulmuesit shqiptar Erjon Bogdani. Mbrojtësi i Xhenoas, Boketi: “Të dielën do të japim gjithçka, edhe pse e dimë se përballë do të kemi një Kievo shumë të motivuar, me dy klientë të ‘shëmtuar’ si Pelizier e Bogdani në vijën e parë”. Kievo barazoi 2-2 me Interin në javën pararadhëse, ndërsa Bogdani dha asistin e golit të parë të skuadrës së tij.
Torino blindon Xhemailin
Presidenti i Torinos, Urbano Kairo, përgënjeshtroi lajmet për një largim të mundshëm të shqiptarit Blerim Xhemaili te Napoli. “Bëhet fjalë vetëm për fantazi, më shumë sesa ta përgënjeshtroj nuk mund të bëj gjë tjetër. Projekti ynë ëshët ta forcojmë Torinon, duke mbledhur të rinj interesantë e të talentuar”.
Bufon: “Nuk largohem”
Xhixhi Bufon, numri një i “Zonjës së vjetër”, nuk do të largohet nga Juventusi. Portieri pohoi se kishte sqaruar gjithçka me drejtuesit më të lartë bardhezi. “Tani duhet ta mbyllim sa më mirë këtë sezon”, - tha Bufon. Juve është në pritje të zyrtarizimit të brazilianit Diego.
15 Maj 2009