E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Çështja “Glover”, Berisha po tenton manipulimin e zgjedhjeve

Islami, akuza kreut të KQZ-së: “Shkeli Kodin Zgjedhor, po përdoret nga Berisha”. Deputeti socialist: “Me qëndrimin ndaj ambasadores, Berisha bëri një gafë të rëndë diplomatike”

Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka reaguar pas publikimit në media të letrës së dërguar misionit të ODIHR-it nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani, në të cilën ai kërkonte largimin nga drejtimi i këtij misioni të ambasadores Odrei Glover. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, deklaroi se kreu i KQZ-së me këtë letër ka shkelur rëndë Kodin Zgjedhor, duke u përdorur politikisht nga qeveria. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha se e ka kthyer në instrumentin e tij politik institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deputeti socialist e konsideroi gafë të rëndë diplomatike qëndrimin e Berishës për heqjen nga kreu i misionit të vëzhguesve të zgjedhjeve të 28 qershorit, ambasadoren Glover. Islami tha se me këtë veprim, kryeministri Berisha tregoi që jo vetëm nuk ka ndryshuar, por ka konfirmuar qartësisht planet e tij për manipulimin e procesit zgjedhor. “Ndryshe nga zonja Glover, që pohoi se Shqipëria ka ndryshuar shumë krahasuar me vitin ’96, Berisha, me kërkesën për largimin e saj, vërtetoi se ai jo vetëm nuk ka ndryshuar aspak, por me mentalitetin e tij të vjetër synon të manipulojë zgjedhjet e 2009-s me të njëjtin model që aplikoi në vitin 1996, por me teknika më të sofistikuara, duke kërkuar t’i fshihet monitorimit ndërkombëtar”, - deklaroi Islami.

Ristani
Sekretari për çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste e cilësoi letrën e dërguar nga kreu i KQZ-së Arben Ristani si një shkelje e rëndë e Kodit Zgjedhor dhe një hap të gabuar në drejtim të delegjitimimit të KQZ-së. “Letra e dërguar nga kryetari Ristani në emër të KQZ-së për misionin e ODIHR-it demonstron qartë qëndrimin e njëanshëm dhe partiak të kryetarit të KQZ-së dhe të një personi tërësisht nën tutelën e kryetarit të PD-së, Berisha. Veprimi i tij naiv e infantil dhe mbi të gjitha i kundërligjshëm, është i dënueshëm. Kjo sjellje ka cenuar shumë rëndë pavarësinë e funksionalitetin e KQZ-së, i cili ka një mision madhor e deri historik për të administruar për herë të parë në këtë vend anëtar të NATO-s, zgjedhje në përputhje të plotë me standardet demokratike. Bazuar në modelin e sjelljes partiake të kryetarit Ristani, të vendosur tërësisht në ndikimin personal të Berishës, veprimtaria e KQZ-së ka filluar të komprometohet rëndë nga një sërë vendimesh tërësisht me natyrë partiake e antiligjore, të cilat janë një ogur i keq për administrimin e zgjedhjeve”, - vijoi Islami.

Kartat
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste foli gjithashtu edhe për çështjen e kartave të identitetit. Duke bërë një paraqitje të ecurisë aktuale të procesit të aplikimit, ai tha se ky proces është në prag të dështimit, duke rrezikuar seriozisht zgjedhjet e 28 qershorit. Ai shtoi se Partia Socialiste jo vetëm ka bërë thirrje për aplikim, por është e angazhuar seriozisht për të rritur ritmet e aplikimit. Deputeti socialist akuzoi qeverinë se po nxjerr pengesa të qëllimshme ndaj shtetasve pa pasaportë që duan të aplikojnë për karta identiteti. Ai përsëriti qëndrimin e Partisë Socialiste, sipas së cilës nuk do të ketë zgjedhje në rast se votuesve do t’u mohohet e drejta për t’u pajisura me karta dhe për të votuar. “Përfundimisht mund t’ju them se situata jo premtuese, nëse vazhdon me këto ritme, është shumë pranë dështimit. Ripërsëris se ky standard i zgjedhjeve me ndikim të konsiderueshëm në rezultatin zgjedhor ka shumë gjasa të dhunohet rëndë nëse qeveria dhe të gjitha strukturat e saj vazhdojnë me të njëjtën mënyrë. PS-ja ripërsërit thirrjen për aplikim dhe shpreh tërë vullnetin dhe angazhimin e saj për të kontribuar në këtë proces. Partia Socialiste bën përsëri të qartë qëndrimin e saj se nuk do të mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme pa i dhënë mundësi çdo votuesi të realizojë të drejtën e tij kushtetuese”, - tha Islami.

Raporti për procesin e aplikimit për karta identiteti

Aplikimet deri më 8 maj: 282836 votues ose 38,8%
Letërnjoftimet e tërhequra: 377103 ose 44 % të aplikimeve
Qarqet problematike: Kukës, Dibër, Lezhë dhe Shkodër
Qarku me aplikimin më të ulët: Qarku i Kukësit me 9,5%
Rrethet problematike: Mat 29%, Dibër 26 %, Has 8.6 %,
Bulqizë 17%, Krujë 19.6%,
Gramsh 26.7 %, Peqin 20.7%, Përmet 26.8%, Ersekë 24.7 %. Kukës 11 %, Tropojë 6.2%,
Lezhë 28.9%, Mirditë 24.8%,
Pukë 24.3%, M. e Madhe 14.2 %, Delvinë 29.6 %.
Numri i komunave pa aplikime 50
Nr. i komunave me vetëm 10 aplikime 68
Numri i komunave ku nuk ka nisur 13
aplikimet
Me këtë ritëm pune deri më 12 qershor do të mbeteshin pa pasaportë dhe pa letërnjoftim për zgjedhjet e 28 qershorit 2009 rreth 10 për qind e votuesve.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›