PD-ja nuk harron
Partia Demokratike i druhet “sherrit” që mund të plasë nga rikthimi i figurave të hershme, duke shtyrë kështu edhe nisjen e diskutimeve për këto rikthime. Një nga arsyet për të cilat deputetët kanë shfaqur pakënaqësi, ka qenë se disa nga këto figura kanë bashkëpunuar me të majtën gjatë viteve që ajo ishte në pushtet. Burime brenda kryesisë së PD-së bëjnë të ditur se akoma nuk ka ndonjë diskutim konkret nga kryesia për rikthimin e figurave të hershme, si Neritan Ceka, Genc Pollo dhe Tritan Shehu, por ka vetëm shenja të vogla, si dhënia e postit të nënkryetarit të parlamentit Cekës, dhënia e postit të zëvendëskryeministrit dhe përfshirja në grupet e punës të Genc Pollos, qëndrimet e afërta politike etj. Burimet saktësojnë se këto dy lëvizje nuk janë shoqëruar me ndonjë diskutim të gjerë në kryesinë e PD-së dhe në grupin parlamentar të saj, megjithatë pas miratimit të kodit të ri zgjedhor është i pritshëm një diskutim për këtë çështje. Ndërkohë, një motiv tjetër që ka sjellë shmangien e diskutimeve, ka qenë edhe mosbesimi i këtyre figurave pa u miratuar ligji i zgjedhjeve. Megjithatë, edhe pse drejtuesit e PD-së kanë dhënë vetëm shenja, testimi i vërtetë i “mikpritjes” nuk është bërë akoma. Ndërkohë, zëra të veçantë të PD-së kanë reaguar menjëherë, ku kryesisht të rinjtë dhe qëndresëtarët e PD-së kanë kundërshtuar rikthimin e këtyre figurave, ndërsa të rikthyerit e kanë cilësuar këtë si një eveniment pozitiv. Kohët e fundit, çështja e rikthimeve të këtyre figurave në PD ka sjellë jo pak debate nëpër mbledhjet e grupit të saj, por edhe në diskutimet informale mes deputetëve demokratë. Kanë qenë të paktë ata deputetë që kanë guxuar të shfaqin hapur qëndrimet e tyre, ndërsa pjesa tjetër edhe pse e pakënaqur nga kjo lëvizje, i druhet një “mungese” të mundshme të tij në listën e ardhshme të PD-së. Kështu, deputetët të cilët kanë pasur qëndrime kritike për rikthimin e këtyre figurave kanë qenë Preç Zogaj, Bujar Leskaj, Aleksandër Biberaj, por edhe shumë deputetë që kanë deklaruar se kundërshtimet e tyre do t’i bëjnë publike në momentin e duhur, kur do të nisin diskutimet. Pak muaj më parë, ndërsa rikthimi i të larguarve nga PD-ja u bë temë e ditës, një nga deputetët e PD-së, Aleksandër Biberaj, deklaroi në një intervistë se, para se të riktheheshin këta figura, duhej që më parë të kërkonin falje publike për bashkëpunimin me të majtën, duke nënkuptuar këtu rikthimin e Neritan Cekës dhe Arben Demetit, të cilët për tetë vjet ishin pjesë e qeverisjes së PS-së. Po ashtu, në një mbledhje me dyer të mbyllura të grupit të deputetëve demokratë, deputeti Bujar Leskaj kërkoi nga kryeministri që aleatët të mos futen në krye të listave të PD-së. Po ashtu, edhe vetë i rikthyeri në PD, Preç Zogaj, deklaroi në një intervistë televizive, se rikthimi i këtyre figurave është shumë i vonshëm”. Rikthimi i këtyre që po vijnë tani, nuk duhet të mënjanojë të tjerë që e kanë bërë këtë hap më parë, pasi rikthimi nuk do të lexohej më si një vlerë, por si një interes meskin. Jo të gjithë kanë ikur nga PD-ja për interesa vetjake dhe jo të gjithë janë kthyer për interesa vetjake”, deklaroi pak kohë më parë Zogaj. Po ashtu, edhe shumë deputetë të tjerë demokratë kanë shprehur kundërshtime, por pa pasur guxim të dalin me emër në media. Ndërkaq, kundërshtimet më të fundit filluan të shfaqen për caktimin e reformatorit Genc Pollo si pjesë e grupit të punës së PD-së për zonën e Gjirokastrës. Deputetët e PD-së reaguan ashpër, duke thënë se kryesia nuk respektoi procedurat, sepse nuk ka kuptim që, pa ndodhur shkrirja e partive, kryetari i një partie tjetër të drejtojë grupin e punës së PD-së.
PrecedentiRikthimi i figurave të hershme të Partisë Demokratike nisi para zgjedhjeve të vitit 2005 me afrimin e të larguarve, si Genc Ruli, Arben Imami, Preç Zogaj, Ferdinand Xhaferaj dhe Leonard Demi. Pavarësisht se PD-ja fitoi të drejtën për të krijuar qeverinë e re, me përjashtim të Genc Rulit, asnjërit prej tyre nuk iu dha një post në ekzekutiv. Po ashtu, edhe në strukturat partiake këto figura nuk morën poste kyçe. Një nga figurat që shkaktoi debate në PD ishte shefi aktual i kabinetit të kryeministrit, Arben Imami, i cili pak më shumë se një vit më parë deklaroi kandidimin e tij për postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së. Ky vendim nuk u mirëprit nga drejtuesit e PD-së, ku një deklaratë e nënkryetares së PD-së, Jozefina Topallit, tregoi edhe mospajtimin me këtë vendim. “Memoria në PD vazhdon të jetë shumë e rëndësishme dhe shumë domethënëse”, tha Topalli në atë kohë, duke nënkuptuar se Imamit nuk i falej bashkëpunimi me Partinë Socialiste.