E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Nuk ka faj opozita që Qeveria është përzier në afera të pista

Kryetarja e deputetëve socialistë deklaroi se vrasja e shekullit është Gërdeci, dhe është pikërisht kjo që rëndon në kurrizin e kryeministrit dhe kësaj qeverie, dhe jo opozita

Kryetarja e grupit kuvendar socialist, Valentina Leskaj, deklaroi dje në seancë plenare, se opozita nuk është kundër marrjes së ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sepse është pikërisht ajo që ka ndërtuar rezolutën për integrimin euroatlantik. Sipas kryetares Leskaj, opozita ka dhënë kontributet e saj për anëtarësimin e vendit në NATO. Kjo deklaratë erdhi, pasi kryeministri Sali Berisha tha në parlament se opozita nuk ka përshëndetur firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit në NATO nga presidenti amerikan, Xhorxh Bush. Po ashtu, Leskaj hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit, duke thënë se opozita nuk ka faj që qeveria shqiptare është përzier në afera të pista. “Nuk ka faj opozita që qeveria është përzier në afera të pista, të gjithë ministrat që nga ata më të vjetrit deri tek ata të moshës së internetit”, tha Leskaj. Duke folur për protestat e opozitës, numri një i deputetëve socialistë tha se Berisha e ka shumë vështirë që të pranojë protestat qytetare që bën opozita. “Unë dua të them që kryeministri e ka të vështirë që të pranojë dhe ironizon protestat qytetare që bën opozita, sepse kryeministri është mësuar me arkivole në krahë dhe me bomba. Kjo është diferenca. Kjo është vështirësia që kryeministri të pranojë një protestë qytetare”, tha Leskaj. Po ashtu, kryetarja e deputetëve socialistë tha se vrasja e shekullit është Gërdeci, dhe është pikërisht kjo që rëndon në kurrizin e kryeministrit dhe kësaj qeverie, dhe jo opozita. Ndërkaq, para se të zhvillohej seanca parlamentare, grupi parlamentar i Partisë Socialiste i rikërkoi kryeministrit Sali Berisha të gjejë kurajën, duke respektuar Kuvendin, për t’iu përgjigjur kërkesës për mocion me debat. Numri një i socialistëve në sallën e Kuvendit, Valentina Leskaj, pas mbledhjes shprehu qëndrimin e partisë më të madhe opozitare. “U bënë tri javë që grupi parlamentar socialist ka bërë kërkesë për mocion me debat me kryeministrin, për sa u takon lidhjeve me Fazliçin dhe raportet e tij me institucionet. Ne i kërkojmë kryeministrit një datë në lidhje me këtë mocion, pra të vijë në parlament, duke e respektuar këtë institucion, për të raportuar për lidhjet e qeverisë që ai drejton me Fazliçin, ku për institucionet e pavarura ka pasur shqetësim jo vetëm nga opozita, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë shprehur në mënyrë specifike për raportet dhe presionet e krijuara nga qeveria me institucionet e pavarura”, - u shpreh Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së shtoi se nga ana e ekzekutivit shqiptar nuk ka pasur asnjë reflektim lidhur me qëndrimet e ndërkombëtarëve apo të opozitës. Sipas saj, në të kundër mazhoranca ka vazhduar projektet e sjella në Kuvend e me mënyrat e tjera për të bërë presion. Madje, prej tri javësh kryeministri Sali Berisha vazhdon të mos i përgjigjet pozitivisht kërkesës së opozitës për mocion me debat. Ndërkaq, Valentina Leskaj, liderja e socialistëve në Kuvend, shprehu vendimin e grupit parlamentar për të mbështetur dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, për kryetaren e Gjykatës së Lartë.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›