Prokurori i ushtrisë së vdekur

Kryeprokurori serb ka kërkuar ndihmën e homologes shqiptare për të hetuar akuzat e Del Pontes
TIRANË - Investigimi i akuzave të Karla del Pontes se Shqipëria është e përfshirë në trafikun e organeve të ushtarëve serbë të kapur robër në luftën e Kosovës, mbetet në dorë të Ina Ramës. Nuk është çudi që kryeprokurori serb, Vladimir Vukçeviç, të ketë dalë duarbosh nga zyra e homologes së tij shqiptare, me të cilën diskutoi dje mbi mundësinë e hetimit të pretendimeve të ish-prokurores së Hagës. Një fakt i tillë pohohet edhe nga zyra e shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila thotë se “palës serbe i është sqaruar pozicioni dhe të drejtat procedurale të Prokurorisë Shqiptare, në lidhje me kryerjen e veprimeve të kërkuara për t’u kryer nga autoritet serbe për këtë çështje”. Por, nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që Prokurorja e Përgjithshme të pranojë nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe për hetimin e çështjes, si mundësia e vetme për zgjidhjen e këtij rasti. Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se Ina Rama është takuar me homologun e saj serb për hetimin e krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili shoqërohej nga zëvendësprokurori dhe zëdhënësi i tij. Gjatë takimit të djeshëm, Vukçeviç i ka kërkuar homologes së tij shqiptare krijimin e mundësisë për hetimin në terren të çështjeve që përshkruhen edhe në librin e Karla del Pontes, “Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës”. Duke iu referuar kuadrit ligjor të Shqipërisë, rezulton se kërkesa e prokurorit serb mbetet në dorë të kryeprokurores shqiptare, pasi zgjidhja e vetme për këtë çështje është nënshkrimi i një marrëveshjeje të përbashkët. Ka shumë gjasa që kjo marrëveshje të arrihet, pasi Prokuroria Shqiptare ka shprehur vullnetin e mirë për hetimin e kësaj çështjeje, në kuadër edhe të transparencës që duhet të ketë në raport me institucionet ndërkombëtare. Përgjigjja pozitive e kryeprokurores mund të jetë edhe për një tjetër arsye. Pak kohë më parë u deklarua zyrtarisht se, pretendimet e prokurorëve të Hagës, se Shqipëria është përdorur si vend ku mbaheshin robërit e luftës së Kosovës, të cilëve iu janë hequr edhe organet në klinika të fshehta që ndodheshin në zonën e Burrelit, nuk kanë rezultuar të vërteta. Duke parë përfundimet e hetimeve të kryera për këtë çështje nga një grup hetuesish të Gjykatës së Hagës në vitin 2005, një kërkesë e tillë mund të duket disi tendencioze. Rezultatet e këtij verifikimi kryeprokurorja Ina Rama ia ka bërë prezente edhe homologut të saj serb, duke i treguar se kjo çështje tashmë quhet e ezauruar. Nga ana tjetër, palët ranë dakord të mbeten të hapura më tej, në trajtimin e të gjitha çështjeve që mund të kërkojnë ndihmën e përbashkët. Përgjigjja e kërkesës së kryeprokurorit serb për hetimin e një çështjeje tashmë të sqaruar, ndoshta do të bëhet publike edhe nga vetë Prokuroria e Përgjithshme, e cila është autoriteti i vetëm për të lejuar ose jo një hetim të tillë.
Si e kërcënuan VukçeviçinVladimir Vukçeviç është bërë i njohur në Serbi si prokurori i krimeve të luftës. Kryeprokurori që mbërriti dje në Shqipëri, është një nga hetuesit që ra në gjurmët e famëkeqit Radovan Karaxhiç, i cili kërkohej nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës prej 13 vjetësh për krime lufte. Gjatë punës së tij për hetimin dhe kapjen e kriminelëve të luftës, Vukçeviç është përballur me presione dhe kërcënime të shumëllojshme. Në janar të këtij viti ai ka marrë një letër kërcënuese nga komuniteti serb që jeton në Çikago. Në letrën që kërcënonte me jetë Vukçeviçin, dërguesit pretendonin se ai ka tradhtuar Serbinë, pasi ai është personi përgjegjës për ndjekjen dhe arrestimin e të dyshuarve për krime lufte në ish-Jugosllavi.
Haga hetoi trafikun e organeve në vitin 2005Të dhënat e prokurorëve të Gjykatës së Hagës, që më pas u trajtuan edhe në librin e Karla del Pontes “Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës”, për ekzistencën e disa klinikave të fshehta në zonën e Matit, që përdoreshin për heqjen e organeve të serbëve që u kapën robër Shqipëri, janë hetuar tre vjet më parë. Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar pak muaj më parë, se në vitin 2005 një grup hetuesish të ardhur nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi kanë bërë verifikime në vend për këtë çështje. “Në zbatim të kërkesës së kësaj gjykate është zhvilluar një proces inspektimi dhe verifikimi i përbashkët i hetuesve të ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk rezultuan të vërteta”, - deklaroi Prokuroria e Përgjithshme rreth gjashtë muaj më parë. Por debati për këtë çështje është ringjallur menjëherë pas publikimit të librit të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Pontes, e cila ngre pretendimin se në vitin 2004 Shqipëria mund të ketë shërbyer si vend për mbajtjen e robërve të luftës së Kosovës. Del Ponte në librin e saj thotë se në zonën e Matit kanë ekzistuar disa klinika të fshehta, të cilat hiqnin dhe më pas trafikonin organet e robërve të luftës. Menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve reagoi dhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri prezente rezultatet e inspektimit të vitit 2005, la të hapur rrugën për një tjetër hetim, nëse një gjë e tillë do të shihej e nevojshme. “Duke krahasuar të dhënat e asaj kohe me ato çfarë shkruan Karla del Ponte sot në librin e saj, konstatojmë se kemi të bëjmë me të njëjtët elemente që pretendoheshin në vitin 2004 dhe Prokurorisë Shqiptare nuk i rezulton asnjë e dhënë e re, për të cilat do të ishte e nevojshme të kryhej një proces i ri verifikimi apo investigimi”, - deklaroi Prokuroria e Përgjithshme në maj të këtij viti, duke pranuar idenë për një rihetim të çështjes.