E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi

Policia përdori të dhënat e dosjes hetimore për ti bërë presion dëshmitarit të Gërdecit

TIRANË - Policia e kryeqytetit ka përdorur të dhënat hetimore të dosjes “Gërdeci”, për t’i bërë presion dëshmitarit Andi Belliu, i cili u mbajt për më shumë se 10 orë në ambientet e Drejtorisë së Tiranës. Burime të rezervuara thanë se gjatë kohës që dëshmitari ndodhej në polici, inspektorët dhe policët e grupit të gatshëm i kanë përmendur atij disa të dhëna personale që ndodhen vetëm në Prokurorinë e Përgjithshme, ku Belliu ka dëshmuar për ngjarjen e Gërdecit. Adresa e re dhe numri i tij i telefonit janë të paktën dy elemente që tregojnë fare qartë se policia ka abuzuar me besimin e organit të akuzës për ruajtjen e të dhënave personale të një dëshmitari që zyrtarisht ka kërkuar mbrojtje nga prokuroria. Një burim i tha “Korrierit”, se momenti i parë kur policia “ra brenda me këmbët e veta”, ishte tentativa për kontrollin e banesës së dëshmitarit Belliu. Pasi është prangosur, ai është futur në furgon dhe për një moment uniformat blu e pyesin ku banon. I shoqëruari u thotë se tashmë ai banon në të njëjtin vend ku ushtron edhe një biznes të vogël privat. Ky fakt nuk ka bindur inspektorin e policisë, i cili i ka thënë Belliut se e dinte shumë mirë adresën e re të banimit, e cila nuk është e njëjta me atë që deklaroi i shoqëruari. Ky element sipas vetë Belliut, ashtu edhe burimeve të tjera është deklaruar vetëm në prokurori, pasi dëshmitari që deri pak muaj më parë banonte në Vorë, ka vendosur të transferohet në kryeqytet. Një tjetër element mjaft i rëndësishëm, që tregon se policia është vënë në dijeni nga organi i akuzës, ndoshta me qëllim mbajtjen e tij nën vëzhgim, ka të bëjë edhe me numrin e celularit që përdorte dëshmitari Belliu. Prej të paktën tri ditësh ai ka vendosur të ndërrojë numrin e celularit dhe pikërisht kjo gjë i është përmendur pak çaste para se të dilte nga ambientet e policisë. “Mbaje hapur këtë numër, se mund të na duhesh për kompjuterët e drejtorisë”, - mësohet t’i ketë thënë inspektori Belliut, i cili qëndroi për më shumë se dhjetë orë në polici, me pretekstin se ngjante me një të dyshuar për vrasje. Një ngjarje e tillë ka lënë shije të hidhur jo vetëm tek dëshmitari, i cili ka vendosur të padisë në gjykatë policinë e Tiranës, por edhe tek qytetarë të ndryshëm, që në çdo moment mund të përfundojnë në polici pa ndonjë arsye të veçantë. Abuzimet me detyrën nga policia e kryeqytetit janë denoncuar disa herë nga gazeta “Korrieri”, e cila ka evidentuar raste flagrante kur të rinj janë mbajtur pa shkak në mjediset e policisë. Vetëm pak ditë më parë uniformat blu të Komisariatit Nr. 3, që mesa duket nuk e kishin realizuar planin, kanë shoqëruar në komisariat dhe ka mbajtur për afro 10 orë gjashtë të rinj, që po ktheheshin në shtëpi pas përfundimit të punës. Mos ndoshta kjo është e vetmja mënyrë që ka në dorë policia për të ruajtjen e rendin dhe sigurisë në kryeqytet?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›