Zgjidhja më e mirë, poli i tretë

Nënkryetari i PAD-së thotë se kalimi tek poli i tretë, për të cilin kanë nisur bisedimet me LSI-në, do të ishte më i pranueshëm edhe nga baza e strukturat në rrethe
Partia Aleanca Demokratike e shikon veten aktualisht më afër bashkëpunimit elektoral me polin e tretë, sesa me Partinë Demokratike. Opsioni i fundit nuk përjashtohet, por nga sa thotë nënkryetari i PAD-së, Arben Demeti, në një prononcim për “Korrierin”, kuptohet qartë se bashkëpunimi me LSI-në e partitë e tjera të majtë, përjashto PS-në, do të ishte zgjidhja më optimale. “Do të jetë e natyrshme nesër që të bashkëpunojmë me një koalicion të polit të tretë, ku nuk ka më dy parti të vjetra. Janë partitë që dihen tashmë, si LSI-ja, PDS-ja, PS91-shi, por mund të jetë dhe PSD-ja “që ç’ke me të”. Edhe ne e quajmë veten pjesë të saj. Kemi disa aksione të përbashkëta të marra në vitin 2008, dhe besojmë që kjo do të jetë një forcë fituese. Nuk diskutohet brenda së majtës! Por mendojmë që mund të jetë edhe një koalicion fitues edhe në rang kombëtar”, - deklaroi Demeti. Sipas tij, për të realizuar objektivin që PAD-ja të jetë forcë parlamentare, nuk përjashtohet edhe mundësia e bashkëpunimit me parti të tjera. Sipas tij, vendimet e marra nga asambleja janë paraprake, por me të dalë kodi i ri zgjedhor, aleanca do të ketë pozicionimin përfundimtar. Demeti përjashtoi mundësinë që të kenë nisur bisedimet me PD-në, për mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet e 2009-ës, ndërsa me LSI-në gjërat janë ndryshe. Mesa thotë ai, kanë mbetur pa diskutuar vetëm detajet konkrete të bashkëpunimit. “Aksione të përbashkëta me këta ne kemi. Përderisa ke aksione të përbashkëta, atëherë është normale të mendosh që kjo shkon drejt një koalicioni edhe në zgjedhje. Janë bërë edhe biseda të kuptimit që “Po dalim bashkë”, dhe është pranuar në parim vullneti i përbashkët për të dalë së bashku. Konkretisht nuk kemi folur, sepse thashë janë hapësira që lidhen me kodin zgjedhor”, - u shpreh ai. Sipas nënkryetarit të PAD-së, në funksion të kodit zgjedhor mund të ketë 5-6 variante për të kuptuar sesi mund të maksimizohet rezultati. Demeti shtoi se pas daljes së kodit do të bisedohet edhe për detaje konkrete. Madje, afrimin e PAD-së tek poli i tretë ai e sheh si më të pranueshëm edhe nga baza e strukturat e tjera në rrethe. Sipas tij, preferenca mund të ketë, ku dikujt mund të mos i pëlqejë as shkëputja nga PS-ja, ndërsa dikujt tjetër lëvizja drejt PD-së. “Unë mendoj që, nëse jemi në një pol të tretë, ne jemi tamam në vendin tonë, dhe besoj se këtu nuk do të ketë asnjë shqetësim. Por edhe nëse për hir të interesit të PAD-së ne do të bëjmë ndonjë aleancë tjetër, besoj që struktura e partisë do të qëndrojë e bindur, sepse ata janë po të bindur që ne nuk kemi lëvizur nga pozicioni ynë”, - sqaroi Demeti. Sipas tij, janë partitë e tjera që kanë lëvizur nga pozicionet e tyre, e falë kësaj PAD-ja do të duhet të orientohet. Nënkryetari i PAD-së tha se aleanca e ka aktualisht elektoratin e saj, rreth 4 për qind, të cilin do të kërkojë ta zgjerojë nga të pakënaqurit, nga partitë e majta e të djathta. Megjithatë, sikundër ndodhi në 2005-ën, ai premtoi se PAD-ja do të respektojë moralin politik, duke mos iu bashkuar një qeverisjeje të djathtë, nëse ka marrë vota majtas e anasjelltas. saqellari@korrieri.com