E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi, Meta zhvillon një sërë takimesh të rëndësishme në Maqedoni



Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit dje në Shkup nga ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Antonio Milloshoski. Bashkëpunimi dypalësh, rritja dhe forcimi i tij në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, zhvillimet në rajon dhe bashkëpunimi shumëpalësh, si dhe përpjekjet e përbashkëta për integrimin evropian e euroatlantik, përfshirë këtu anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ishin çështjet kryesore që u trajtuan gjatë bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve. Gjatë takimit, Meta dhe Milloshoski u shprehën se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shumë të mira. Ata rikonfirmuan gjithashtu vullnetin e përbashkët për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, si dhe vlerësuan rolin e veçantë të të dy vendeve për sigurimin e një bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv në interes të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Meta evidentoi rëndësinë e veçantë të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia dhe vlerësoi njëkohësisht faktin që opinioni i GJND-së e rikonfirmoi drejtësinë e këtij vendimi, duke shtuar se ai i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shumë të mira dhe të konsoliduara tashmë prej dy dekadash. Gjatë pranverës, Milloshoski ishte i ftuari im në Tiranë, më pas edhe Presidenti ynë z. Topi ishte për një vizitë zyrtare këtu në Maqedoni. Ndërkohë që të gjitha kontaktet midis dy vendeve tona janë të përhershme. Ne mesi presim që Maqedonia të zërë vendin që i takon në NATO, pasi ajo i ka përmbushur të gjitha detyrimet, edhe si një nga vendet themeluese të Kartës së Adriatikut që rezultoi kaq e suksesshme. Njëkohësisht ne shpresojmë që të hapen së shpejti edhe negociatat mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian. Jemi shumë të lumtur që qytetarët e Maqedonisë lëvizin të lirë brenda zonës Shengen, dhe besoj që për pak muaj të gjithë qytetarët e Shqipërisë do të kenë të njëjtën mundësi”, - është shprehur Meta. Ai tha se dy vendet kanë rënë dakord të forcojmë bashkëpunimin jo vetëm dypalësh por edhe bashkëpunimin e dy vendeve tona në kuadrin rajonal. “Kemi rënë dakord gjithashtu të mbështesim kandidaturat e njëri-tjetrit në organizatat ndërkombëtare, të ndërmarrim iniciativa të reja rajonale, dhe natyrisht sikurse e përmendi edhe z. Milloshoski, një projekt shumë i rëndësishëm për të dy vendet tona dhe për gjithë rajonin, është konkretizimi i Korridorit 8. Unë besoj se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë do të vazhdojnë të forcohen dhe konkretizohen më tej sepse ky është jo vetëm vullneti i dy qeverive tona, por edhe i dy popujve tanë”, është shprehur kreu i diplomacisë shqiptare. Meta gjithashtu shprehu qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të implementimit të marrëveshjes së Ohrit. Gjatë vizitës së tij në Maqedoni Meta u prit nga Presidenti dhe nga kryeministri i Maqedonisë.

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›