Grupi i PS: Nuk e ndryshojmë kërkesën për hetimin e Kuvendit
Partia Socialiste nuk heq dorë nga nisma e saj për hetimin e veprimtarisë administrative të Kuvendit të Shqipërisë. Pavarësisht kundërshtive të paraqitur nga mazhoranca, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, se kërkesa e paraqitur nga 35 deputetët socialistë vinte në kundërshtim me Kushtetutën, këta të fundit janë shprehur të bindur në të drejtën e tyre, ndaj kanë vendosur që të mos heqin dorë prej saj. Çështja e komisionit hetimor është diskutuar gjerësisht dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku nënkryetari i Kuvendit Namik Dokle ka informuar fillimisht deputetët, lidhur me debatet e zhvilluara në konferencën e kryetarëve. Kështu mësohet se Dokle ka bërë me dije grupin se, gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve, mazhoranca është shprehur parimisht dakord, por ka kundërshtuar objektin e saj. Sipas tij, përfaqësuesit e djathtë kanë kërkuar riformulim të kërkesës, për ta sjellë atë në kanalet kushtetuese dhe për të paraqitur fakte e grup faktesh, për të gjitha çështjet që ka dyshime dhe që kërkohen të hetohen. Më pas ka qenë deputeti, Damian Gjiknuri, në rolin edhe të hartuesit të kësaj kërkese, ai që ka mbrojtur kushtetueshmërinë e nismës së 35 deputetëve, për hetimin e drejtimit dhe të veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005 - dhjetor 2010. Gjiknuri ka bërë të ditur se në objektin e hetimit nuk ka asgjë që ta bëjë kërkesën antikushtetuese dhe se përsa i përket fakteve dhe grup-fakteve që kërkohen nga shumica, ato janë të mishëruara më së miri edhe në opinionin e Komisionit Europian për vitin 2010, ku përveç të tjerave kritikohet dhe mënyra e drejtimit të Kuvendit. Natyrisht deputetët socialistë kanë diskutuar edhe për fakte e grupfakte të tjera, të cilat sipas tyre paraqiten në mënyrë të përmbledhur edhe në relacionin shoqërues, kur flitet për keqmenaxhimin e buxhetit të këtij institucioni, apo edhe për mbajtjen të padrejtë pagave dhe shërbimeve të tjera financiare për deputetët. Për të gjitha këto arsye, duke qenë të bindur se të drejtën për të hetuar një veprimtari të tillë ja garanton ligji dhe Kushtetuta, deputetët e majtë kanë vlerësuar që të mos ndryshojnë asgjë nga kërkesa e tyre dhe ta mbrojnë atë fort, në momentin që do të kalojë për diskutim në seancë. Ndërkohë që për mediat, dje, Dokle ka sqaruar se argumentet e sjella nga mazhoranca në mbledhjen e konferencës së kryetarëve janë artifica për ta bllokuar këtë nismë. “Ne jemi brenda të drejtës kushtetuese dhe ligjore, për ngritur këtë komision hetimor. Ndërsa mazhoranca nuk e kundërshton dot parimisht dhe mundohet të gjejë yçkla dhe pengesa të natyrave nga më të ndryshme, gjë që mua duket fare e padrejtë. Qëllimi është i lexueshëm sepse nuk u intereson që të kontrollohet një nga segmentet ku nuk zbatohen ligjet, ku nuk zbatohen orientimet dhe direktivat që Komisioni Europian jep për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri”, - tha Dokle. Më tej, ai ka sqaruar se në rast se mazhoranca nuk do ndryshojë qëndrim, por do ta rrëzojë këtë kërkesë, ajo do demaskojë veten për shkeljet që ka bërë edhe në Kuvend. “Shtyrja e kësaj nisme ,ose mosmiratimi i kësaj nisme, e demaskon mazhorancën”, - u shpreh Dokle.