E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD miting, Berisha: Shqiptarët ia dolën

Demokratët mblodhën simpatizantë në sheshin para Universitetit Politeknik në përkujtim të kësaj dite. Qindra e mijëra simpatizantë i përshëndeti edhe kryetari i partisë dhe kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se sot përulemi përpara atyre që kontribuuan për shembjen e diktaturës komuniste.

“Ju ftoj ju dhe mbarë qytetarët shqiptarë të shprehin nderimin më të madh dhe të përulemi me respekt të thellë para djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që së bashku me guximin dhe trimërinë e tyre në dhjetorin e vitit ‘90 shembën murin e Berlinit në uraganin e fuqishëm të lirisë e shpresës, që buroi nga zemra dhe shpirti i tyre dhe në 22 mars me votën e tyre të lirë shembën regjimin më barbar që Evropa kishte njohur në historinë e saj. Kombin që deshën ta zhdukën nga harta e Evropës, është sot vendi i NATO-s. Shqiptarët ja dolën. Ne festojmë këtë vit 100 vjetorin. Shqipëria e 20 viteve më parë ishte e rrethuar me gjemba. Qytetarët shqiptarët lëvizin sot të lirë pa viza në Evropë. Shqiptarët ja dolën, ne e kryem”, tha kryeministri. 

Kreu i PD-së, shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në këto dy dekada. “Ata që të udhëhequr nga tribuni i lirisë Azem Hajdari shembën murin e regjimit të egër, ata që shndërruan shqiptarët në qytetarë të lirë, ata që anëtarësuan vendin në NATO, që e renditën në krye të rritjes ekonomike në Evropë, që bën që shqiptarët të lëvizin të lirë në Evropë, janë ata që me vizionin, energjinë, dashurinë për të ndërtuar Shqipërinë vend i zhvilluar do të shndërrojnë në realitet ëndrrën më fisnike të shqiptarëve, anëtarësimin e vendit në BE. Ne do ta kryejmë, Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit Berisha, në këto 20-vjet demokraci, Shqipëria ia doli që të jetë pjesë e NATO-s, ndërsa shqiptarët lëvizin të lirë në të gjithë Evropën.  "Shqipëria që trashëguam mbulohej nga 700 mijë bunkerë. Vendi që 20 vjet më parë mendohej të mos ekzistonte në hartën politike të Evropës, sot është anëtar i NATO-s. Shqipëria 20 vjet më parë ishte rrethuar me tela me gjemba dhe ku u ekzekutuan me qindra të rinj. Sot Shqipëria është atdheu i të rinjve dhe të rejave që lëvizin të lirë pa viza në gjithë Evropën. Shqiptarët ia dolëm, ne e kryem", theksoi më tej Berisha. 

"Për të gjithë shqiptarët 22 marsi i vitit '92 është dita e krenarisë, besimit. Shqipëria sot është 20 vjet më larg dhe më lart sesa Shqipëria në të cilën ne jetuam 20 vjet më parë. Shqipëria e bllokmenëve dhe hoxhistëve ishte vendi i ekzekutimeve pa gjyq, vendi i dënimeve kapitale, ndalimi të besimeve tona fetare. Shqipëria që ne ndërtuam në 2 dekada liri është atdhe i zotit e i qytetarëve të lirë, i besimeve të lira fetare, shembull frymëzimi për tolerancën e shkëlqyer", u shpreh Berisha. /Start/

                                                                                             2012-03-22 12:45
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›