PD në Kushtetuese, PS me një mandat më pak në Kuvend

Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve
Këshilli i Mandateve dërgon në seancë për votim kërkesën e maxhorancës për ankimim në Gjykatën Kushtetuese.
Debate në Këshillin e Rregullores, PS: Presion për Presidentin.
Maxhoranca do të çojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e PS-së në Kuvend pas dorëheqjes së Rudina Seserit. Ky vendim u propozua dje nga kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në Këshillin për Rregulloren, Mandatet Dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë. Ky propozim u kundërshtua fort nga socialistët, që e kanë cilësuar të rrezikshme këtë procedurë, ndërsa kanë kërkuar dërgimin në KQZ të një kërkesë që të bëjë zëvendësimin e Gjon Bardhit, i cili nuk pranoi mandatin e deputetit, për shkak se është zgjedhur në krye të Bashkisë së Fushë-Krujës, me Edison Konomin. Pas lënies së mandatit të Rudina Seserit, KQZ kërkoi zëvendësimin e saj me Gjon Bardhin, i cili tashmë ishte zgjedhur kryetar bashkie. Gjon Bardhi me një shkresë me shkrim refuzoi mandatin e deputetit, për ti hapur rrugë Kuvendit dhe KQZ që ta zëvendësonin atë me kandidatin tjetër socialist në listën e qarkut të Durrësit, i cili ishte Edison Konomi. Por sipas maxhorancës, KQZ e ka sjellë një herë kërkesën e saj dhe Kuvendi smund ti dërgonte një kërkesë të dytë, kur kandidati për deputet është tashmë kryetar bashkie. Neni 69 i Kushtetutës thotë se kryetari i Bashkisë nuk mund të kandidojë për deputet pa hequr dorë nga detyra. Duhet të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese përplasjen mes mandatit të deputetit dhe mandatit të kryetarit të Bashkisë. Gjon Bardhi nuk duhet të kandidonte për kryetar bashkie, sepse ishte në listë për deputet dhe një moment atij mund ti vinte radha, siç dhe i erdhi.
Ne nuk kemi diskrecion të merremi me vendimin e KQZ. Smund ti kërkojmë dy herë KQZ të njëjtën gjë, ajo e ka kryer procedurën e saj. Nuk është faji ynë që Rudina Seseri erdhi vetëm dy herë për tre vjet në Kuvend, mësohet të ketë thënë Topalli në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Gramoz Ruçi është shprehur se me këtë interpretim po krijohet një precedent i rrezikshëm. Këtu nuk ka më fakt për tu diskutuar, është një çështje që nuk ekziston. Gjon Bardhi e ka deklaruar me shkrim. Ajo që ne duhet të vendosim, është të pranojmë faktin e refuzimit të mandatit të deputetit dhe ti kërkojmë KQZ të vazhdojë procedurën. Kësaj i thonë me të martu me zor, si shoku Xhemal. Gjoni nuk e do mandatin e deputetit, mësohet të ketë thënë Pandeli Majko. Ndërsa Marko Bello është shprehur se ne na intereson të plotësojmë vendin vakant në Kuvend, që të përmbushet detyrimi kushtetues. Ky person i ka kërkuar me shkrim KQZ që nuk pranon mandatin dhe ne duhet ti dërgojmë një kërkesë të dytë KQZ-së që të sjellë kandidatin tjetër të listës. Për Damian Gjiknurin, një kërkesë e tillë po hedh në erë të gjithë konsensusin dhe reformat që po zhvillohen. Po hidhni në erë të gjithë procesin. Ju zonjë skeni për tu bërë Presidente, sepse nuk garantoni unitetin kombëtar dhe po prishni konsensusin mes palëve me kërkesa që nuk kanë asnjë bazë ligjore, por bëhen vetëm që opozita të ketë një votë më pak në zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mësohet të ketë thënë Gjiknuri.
Kuvendi njofton vendimin
Përmes një njoftimi për mediat në faqen e Parlamentit në internet, u njoftua kalimi në seancë plenare për çështjen e mandatit të Gjon Bardhit. Nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli, sot u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për verifikimin e mandatit të deputetit, zotit Gjon Bardhi, të dhënë me vendimin nr.2, datë 13.01.2012, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pasi dëgjoi mendimet dhe argumentet e të gjithë anëtarëve të tij, u shpreh për dërgimin në seancë plenare të raportit me qëndrimet e të dyja palëve.
Ruçi: Ende nuk ka vendim
Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha mbrëmë se mbledhja nuk doli me ndonjë vendim. Nuk ka marrë vendim mbledhja e Këshillit të Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit. Sigurisht që në këtë mbledhje kishte dy qëndrime të kundërta. Qëndrimi kundërshtues i maxhorancës për mandatin e PS-së, dhe qëndrimi ynë që e kemi bërë publik. Kështu që është lënë një mbledhje tjetër për të marrë një vendim. Sigurisht në të ardhmen do të kemi qëndrime tonat. Nuk është vendosur asgjë në mbledhje. Mbledhja u mbyll pas dy orësh debate, pa ndonjë rezultante, me vendimin që do të mblidhet përsëri, u shpreh Ruçi.Braçe: Po na vjedhin mandatin
Nënkryetari i Grupit socialist, Erjon Braçe, shkroi dje në Facebook se kryetarja e Kuvendit po mban peng mandatin e PS për shkak të zgjedhjes së Presidentit. Prej më shumë se tre muajsh, Sali Berisha e Jozefina Topalli po mbajnë peng një mandat deputeti të PS. Duan ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe ta pezullojnë përkohësisht! Po bëjnë llogarinë e votave për zgjedhjen e Presidentit! Përtej procedurës, ky është një skandal i madh! Është e kotë që flasim për zgjedhje të reja, të ndershme, të drejta e të barabarta, për lista elektronike, kontroll elektronik të kartave apo numërim elektronik! Këta po na vjedhin mandatin mu në mes të Tiranës, në Parlament dhe me dhunë!, u shpreh Braçe.
ARISTIR LUMEZI