E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh të Urtët për KQZ

Kryetari socialist, Edi Rama, mblodhi dje në mesditë këshillin politik të PS-së për të diskutuar rreth reformës zgjedhore, e cila është në zhvillim e sipër. Bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka informuar këshillin për ecurinë e punës për reformën zgjedhore. Në qendër të diskutimeve ishte formula e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe numërimi elektronik. Gjiknuri ka garantuar anëtarët e këshillit politik se sistemi i zgjedhur për numërimin e votave është nga më të sigurtët dhe më efikasë për përpunimin dhe numrin e votave. Por anëtarët e këshillit kërkuan nga Gjiknuri sqarime më të detajuara rreth opsioneve që ekzistojnë për KQZ-në e re, që do të dalë në përfundim të kësaj reforme. Duke sjellë frymën që ekziston brenda Komisionit të Reformës Zgjedhore mes PS dhe PD, Gjiknuri ka paraqitur tri opsionet ende në diskutim në këtë komision. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas variantit të parë, do të qëndrojë sipas formulës aktuale të kompozimit, pra me 7 anëtarë, tre nga opozita, tre nga maxhoranca, ndërsa do të ndryshojë formula e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së. Propozimet në këtë pikë shkojnë dhe në një propozim të kryetarit të KQZ-së nga Presidenti i Republikës, pasi të jetë konsultuar me grupet parlamentare në Kuvend. Ky është varianti më afër pranimit nga palët. Kjo është një nga formulat e sjella për tu adaptuar në procesin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, marrë nga vende të ndryshme që e aplikojnë. Sipas kësaj formule, katër anëtarë zgjidhen nga partitë parlamentare, ndërsa tri nga institucionet e pavarura, përfshi këtu Presidentin e Republikës dhe Gjyqësorin. Anëtarët e këshillit e kanë parë me dyshim dhe përbërjen aktuale të Gjyqësorit, nga i cili mund të vijnë gjysma e anëtarëve të KQZ. Duke mos e shmangur dot ndikimin e partive politike në administrimin e zgjedhjeve, duket se ky variant është më pak i adaptueshëm. Ndërsa për opsionin e tretë, atë monokratik, sipas variantit britanik, anëtarët e këshillit politik të PS nuk kanë qenë dakord. Pritet që brenda javës këshilli politik i PS të mblidhet sërish për të diskutuar rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e djeshme mungonte profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, ndërsa mbledhja nuk ka zgjatur shumë për shkak të impenjimeve të kryetarit Rama dhe të disa anëtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›