E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Moratoriumi i skafeve nuk do shfuqizohet

Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD

Kryeministri rrëzon propozimin e opozitës për lejimin e skafeve në det.

Maxhoranca hedh poshtë propozimin e opozitës për të shfuqizuar moratoriumin e skafeve. Shumica pritet të votojë kundër amendamentit të paraqitur nga deputeti socialist Artan Gaçi. Duke folur në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar, kreu i qeverisë u shpreh se duke shprehur respektin tim më të madh për nismën ligjvënëse të deputetëve të grupit të Partisë Socialiste, e cila dëshmon qëndrimin e tyre luajal ndaj Parlamentit, më duhet gjithashtu të theksoj se kjo nismë është absolutisht e papranueshme. Për arsye se vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut. Sipas tij, do të ishte një damkosje tjetër e pamerituar për Vlorën, për të cilën po diskutohej ta shpallin si gjiri më i bukur i Mesdheut. Tani ta bëjmë skafo-qytet, kjo nuk mund të ndodhë. Do të ishte e papajtueshme për zotimet e Shqipërisë për luftën zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Kohërat e skafo-Republikës kanë marrë fund, ndaj dhe më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet nga ne. Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet e opozitës se me moratoriumin në fuqi dëmtohet turizmi, kur tha se gjatë këtyre viteve që nuk janë lejuar skafet, numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 12 herë.
Plehrat
Në të njëjtën kohë, në mbledhjen e djeshme, kreu i maxhorancës ka kërkuar të gjithë angazhimin e deputetëve që më 20 prill, në zonat e tyre elektorale të kontribuojnë për të mbajtur pastër ambientin. Asgjë nuk nxin më shumë në këtë vend që ka marrë një zhvillim të gjithanshëm, sesa prania e plehrave të shpërndara në mënyrë shumë të shëmtuar.  Ndaj dhe do të kërkoja shumë nga ju, në bashkëpunim me qeveritë vendore, të marrim çdo masë që më 20 prill ta bëjmë Shqipërinë më të pastër se kurrë në historinë e vet. Të pastrojmë atë ditë, në çdo qoshe, në çdo skaj të saj. Të jetë kjo një ditë apel dhe ndërgjegjeje të thellë për një kthesë  shumë të rëndësishme, u shpreh kreu i maxhorancës. Sipas Berishës, ne po shtrijmë të njëjtën infrastrukturë me lagjet e qyteteve dhe në fshatra. Është e domosdoshme që në qytete dhe në fshatra të adaptohet qëndrim i njëjtë ndaj mbetjeve të plehut. Është jetike kjo për një nivel të ri tërësor të vendit.

Gaçi i PS: Hiqni moratoriumin e skafeve
Pak javë më parë, deputeti socialist, Artan Gaçi, i kërkoi Kuvendit që të shfuqizojë moratoriumin e skafeve. Moratoriumi e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të turpshëm krahasuar me fqinjët bregdetarë që e shohin turizmin si burim mirëqenieje për qytetarët e tyre. Zgjatja e tij vetëm sa do të thellonte absurdin e një ligji që nuk përmbush asnjë qëllim përveçse penalizimit të industrisë së turizmit, thuhet më tej në letrën e Gaçit, drejtuar deputetëve të zonave bregdetare.

Rama: Shqiptarët të pastrojnë plehrat e Berishës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje në Twitter për deklaratat e bëra nga Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së. Ai komentoi nismën më të fundit për të shpallur 20 prillin si ditën e Shqipërisë së pastër, duke deklaruar se Berisha, mbasi zhyti Shqipërinë në plehra e po e mbyt edhe me plehra nga jashtë shtetit, Kryeministri thotë dilni në aksion në datë 20 prill, pastroni çbëra. Rama e akuzoi më tej Berishën se ka lënë pa fonde bashkitë e vendit, duke mos pasur asnjë plan për pastrimin e Shqipërisë. Bashkitë e bëjnë përditë këtë punë, është Kryeministri që i ka lënë pa fonde dhe është qeveria që ska asnjë vizion e plan për pastërtinë e Shqipërisë, u shpreh ai më tej.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›