Pakti PD-PS, koncesionet shkojnë në Gjykatën e Lartë

Komisioni i Ligjeve
Maxhoranca dhe opozita miratojnë edhe 6 nene të Gjykatës Administrative.
Prokurimet dhe tenderat do të gjykohen me tre gjyqtarë.
Komisioni i Ligjeve ka gjetur konsensusin dje për katër çështje kryesore, të cilat mbanin peng ngritjen e gjykatave administrative. Në rreth 120 minuta debat, deputetët e maxhorancës dhe të opozitës kanë miratuar gjashtë nene të draftit të ardhur nga qeveria, të cilët ishin ndër kryesorët për marrjen e 84 votave në Kuvend. Konkretisht, të dyja palët kanë rënë dakord që kontratat administrative, ku përfshihen tenderat publikë dhe koncesionet, të mos trajtohen nga gjykatat aktuale, por nga ajo Administrative. Statistikat e Ministrisë së Drejtësisë përforcojnë idenë që në Gjykatën e Lartë duhet të ketë një kolegj administrativ të posaçëm, i cili do të duhet të gjykojë çështjet administrative që shkojnë atje, u shpreh dje në Komision relatori i çështjes, Armando Subashi. Në të njëjtën linjë ishte edhe përfaqësuesja e qeverisë, zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, e cila shtoi se në lidhje me kolegjin administrativ në Gjykatën e Lartë, ne e konsultuam këtë dhe në parim ramë dakord që të ketë një kolegj administrativ. Përbërja dhe numri i gjyqtarëve duhen parë, por duhet parë edhe implikimi në legjislacionin tjetër. Pika e dytë për të cilën ranë dakord të dyja palët ishte ndarja e çështjeve për nga rëndësia dhe numri i gjyqtarëve që do ti gjykojë ato. Me propozim të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, çështjet e thjeshta, si për shembull gjoba që i është vënë një biznesi të vogël shërbimesh, do të gjykohet me një gjyqtar, ndërsa ato administrative, si për shembull koncesionet, do të gjykohen me tre gjyqtarë. Në qoftë se unë ju bëj një propozim që nuk është i pakonsultuar, që ne të bëjmë një lloj ndarjeje dhe të themi që: gjykata gjykon me 3 gjyqtarë, kontratat administrative publike si dhe kërkesat e paraqitura në zbatimit të germave d dhe dh të nenit 6 dhe me një gjyqtar gjithçka tjetër. A na e zgjidhte kjo fluiditetin e konceptit çështje komplekse dhe çështje të thjeshta nëse ne e ndajmë sipas lëndës?, u shpreh kreu i Komisionit të Ligjeve. Propozimi i Rusmalit u pranua nga qeveria dhe PS-ja. Çështja e tretë për të cilën të dyja palët ranë dakord ishte përfshirja e Gjykatës së Lartë në shqyrtimin e kontratave administrative përmes Kolegjit Administrativ. Sipas relatorit Subashi, ideja ime ka qenë që të jetë një kolegj administrativ i posaçëm në Gjykatën e Lartë. Në konceptin tim, kjo nuk do të thotë që nga ai numër gjyqtarësh që janë sot atje, të shkëputen pesë prej tyre, të formojnë seksionin administrativ, të rrinë dhe të gjykojnë një apo dy vjet aty, pastaj të ndryshohen dhe të shkojnë në dhomën penale, ata të dhomës penale të vijnë këtu. Ndërsa zv.ministrja Kasmi theksoi se është mirë që të pranojmë qëndrimin për të pasur një kolegj administrativ, por, siç kemi rënë dakord në grupin e punës me relatorin, ti qëndrojmë këtij propozimi për të mos pasur referenca në dispozita tranzitore me ligje të tjera të veçanta që rregullojnë veprimtarinë e Gjykatës së Lartë. Pas insistimit të opozitës për të përcaktuar nëse kolegji administrativ do të përbëhet nga 5 anëtarë aktualë të Gjykatës së Lartë, apo do të emërohen 5 të tjerë, ndërhyri kreu i Komisionit, i cili theksoi se problemi i organizimit të kësaj gjykate nuk zgjidhet në diskutimin e këtij ligji. Pika e katërt për të cilën ranë dakord të dyja palët ishte që të mos përfshijnë Avokatin e Popullit si një nga subjektet që vë në lëvizje Gjykatën Administrative.
Konsensusi PD-PS
. Palët kanë rënë dakord që kontratat administrative, si për shembull koncesionet apo tenderat të gjykohen nga Gjykata Administrative dhe jo nga gjykatat aktuale.. Palët kanë rënë dakord që në Gjykatën e Lartë të ngrihet kolegji administrativ. Ditën e sotme do të përcaktohet se çfarë çështjes do të gjykojë kolegji administrativ.
. Palët kanë rënë dakord që çështjet e thjeshta, si për shembull gjoba ndaj një biznesi të vogël, të gjykohet me një trupë të përbërë nga një gjyqtar, ndërsa kontratat administrative, koncesionet apo tenderat, të gjykohen nga një trupë me tre gjyqtarë.
. Palët kanë rënë dakord që Avokati i Popullit të mos përfshihet në institucionet që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Administrative.
Doda: Ligjet ti mbrojnë ministrat
Nënkryetarja e Komisionit të Integrimit, Mesila Doda, ka ngritur dje në Grupin Parlamentar shqetësimin se ministrat nuk u kushtojnë vëmendje ligjeve që diskutohen në komisione. Ligjet të mbrohen nga niveli i lartë politik, ministër ose zv.ministër, së bashku me ekspertët, dhe jo të vijnë vetëm specialistët në Komision. Gjithashtu, ligjet, para se të miratohen në qeveri, të marrin më parë edhe mendimin e Ministrisë së Integrimit, tha Doda. Nga ana e tij, Kryeministri është shprehur se në qoftë se nuk kanë kohë ministrat të mbrojnë ligjet, jua jap unë atyre kohën.
ADI SHKEMBI