E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e nënës me 3 jetimë, shërbimi social: I takon ndihma ekonomike

TIRANË- Pas kronikës së transmetuar në News 24 ku tregohej historia tronditëse e nënës së re me 3 fëmijë jetimë që jetonin në një bodrum të lagësht pa asnjë të ardhur, ka reaguar Shërbimi Social Shtetëror.

Drejtues të këtij institucioni thanë se do të ndërhyhet pranë minibashkisë 11 që familja të marrë ndihmë ekonomike në njësinë ku jeton si dhe do të kërkohet strehimi i fëmijëve më të rritur në qendrat rezidenciale për jetimët.

“Për familjen në fjalë për të cilën u dha edhe një kronikë në News 24 diskutuam edhe me stafin e Shërbimit Social Shtetëror dhe mundësitë që kemi tani për tani janë që kjo familje të trajtohet me skemën e ndihmës ekonomike në njësinë vendore ku ajo bën pjesë”, thotë Drejtori i Kontrollit të Ndihmës Ekonomike Leonard Strazimiri.

Sipas Shërbimit Social Shtetëror 3 fëmijët e mbetur jetim pas vdekjes së të atit nuk e gëzojnë dot statusin e jetimit pasi jetojnë me nënën e cila nga ana e saj nuk pranon të heqë dorë nga kujdestaria.

Në një situatë të tillë, Drejtori i Kontrollit të Ndihmës Ekonomike Leonard Strazimiri thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte strehimi provizor i 2 fëmijëve më të rritur në qendra rezidenciale për fëmijët jetimë.

Në mungesë të bashkëshortit i cili ka rreth 20 ditë që ka ndërruar jetë pas një ataku në zemër, nëna e 3 fëmijëve Yze Berberi iu drejtua me një apel qytetarëve dhe biznesmenëve të ndryshëm për ndihmë përmes Gazetës Shqiptare dhe News 24.

“Shteti merr përsipër që për fëmijët që kanë moshën të trajtohen dhe rehabilitohen në institucionet tona publike, për t’ju ardhur në ndihmë kësaj familje deri në momentin që nëna të jetë e aftë për tu kujdesur për ta dhe për t’i bërë ballë jetesës.

Historia e gruas bëhet edhe më e trishtë kur mësohet se edhe vetë ajo ka lindur dhe është rritur jetime dhe e vetmja ditë e bardhë në jetën e saj ka qenë martesa me bashkëshortin Luanin, një tjetër jetim.

Aktualisht nëna po kalon një traumë të rënde depresive duke kërcënuar se do t’i japë fund jetës pasi nuk arrin dot t’i shikojë fëmijët e saj tek vuajnë për bukën e gojës.

Yze Berberi lë këtë numër kontakti për këdo që mund ta ndihmojë.
066 65 21 404

(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›