PD, nën drejtimin e liderit të ri të zgjedhur me votë plebishitare, Lulzim Basha

Alibeaj: “Disfata e 23 qershorit, jo nga performanca e qeverisë, por nga mosfunksionimi i strukturave”
“Disfata e 23 qershorit nuk ishte pasojë e performancës së qeverisë, por mosfunksionimit të strukturave të kësaj partie”. Kështu u shpreh deputeti demokrat i legjislaturës së shkuar, Enkelejd Alibeaj, gjatë një deklarate për mediat, ndërsa analizoi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Sipas tij përqendrimi i pushtetit në duart e pak personave, të cilët treguan papërgjegjshmëri në kapjen e ndjesive të elektoratit demokrat çoi në një dezertim të këtyre të fundit, të cilët u dyndën kryesisht drejt aleatit bashkëqeverisjes, LSI. “Është e vërtetë që tani është koha për të bërë një analizë të ftohtë. Analizat tashmë mund të bëhen për të parë shkaqet dhe dimensionet. Ajo që ndodhi në 23 qershor ka qenë jo pasojë e performancës së qeverisë por e një mosfunksionimi e strukturave të PD, patëm zhvendosje të elektoratit, dezertim të mbështetësve të PD. Po ta kapësh tek performanca e qeverisë, ka qenë mëse e kënaqshme marrë parasysh të gjitha pengesat, edhe ato financiare. Faji duhet gjetur tek organizimi I brendshëm I PD. Mënyra si u organizuar jo vetëm atë partiak por dhe qeveritar u organizuar në decentralizimin apo përqendrimin në pak duar. Dihet mirë se ku ka qenë pika e gravitacionit, tek ajo pjesë që kishte pushtetin dhe papërgjegjshmëria për të kapur ndjesitë e elektoratit të djathtë”- tha ai. Ndërsa renditi arsyet se pse simpatizantët demokratë dezertuan PD dhe rendën drejt LSI, Alibeaj nënvizoi se kjo situatë është e përkohshme aq sa edhe e rikuperueshme nga PD, tashmë nën drejtimin e liderit të ri të zgjedhur me votë plebishitare Lulzim Basha.
“Është një elektorat që i përket së djathtës që shkoi në masën më të madhe tek LSI, për shkak të pakënaqësisë, familjarizimit për shkak të bashkëqeverisjes që PD pati me këtë parti, të një shprese që s’do krijonte dëme për PD në 23 qershor. Nuk u gabua me frymën e krijuar se LSI do rikthehej sërish në koalicion me PD, faji nuk është tek ky elektorat. U krijua vetë shpresa nisur nga qejfmbetja. Unë mendoj se s’duhet të ketë shkuarje tek LSI të këtij elektorati më tepër se tek krijimi i një psikoze qejfmbetje tek ta. Unë mendoj se kjo është e përkohshme. Diçka e rëndë ka ndodhur që u zhvendosën, por është e rikuperueshme”- deklaroi deputeti demokrat. E ndërsa ende mungon një analizë e thellë politike nga ana e PD rreth humbjes në 23 qershor, deputeti demokrat tha se një gjysmë analize u ezaurua me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri, e që në detaje më të hollësishme do të shqyrtohet në shtator. “Një analizë në terma partiakë e detajuar është premtuar dhe do ndodhë në shtator. Ajo çfarë ndodhi ishte e detyruar për shkak edhe të dorëheqjes së kryetarit të PD për shkak të rezultatit. Analiza sigurisht është e domosdoshme me këtë lloj ndjesie të humbjes. Me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD një gjysmë analize ndodhi. Procesi i zgjedhjes së kryetarit nuk shpëtoi nga emotiviteti nga i cili ishte ngarkuar e gjitha baza apo anëtarësia e PD. U profilizuan edhe ofertat e kandidatëve me pjesën fajtore ose jo të rezultatit të 23 qershorit. Pashë me jo pak krenari qartësinë, kthjelltësinë e opinionit apo mendimit kritik të anëtarësisë së PD, e cila diti të bëjë zgjedhjen e duhur me shpresën e madhe që kjo shpresë do optimizojë të gjitha vullnetet politike”- theksoi Alibeaj.