E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kërkova Ministrinë e Drejtësisë, m’u ofrua një post fiktiv në kabinet”

04-08-2013 / Gazeta 55

Spartak Ngjela thyen heshtjen: Jam kundër qeverisë së re, Rama shkeli paktin

Spartak Ngjela, një prej aleatëve kryesorë të Edi Ramës para zgjedhjeve të 23 Qershorit ka thyer heshtjen, duke folur për herë të parë për mospërfshirjen e tij në kabinetin e ri qeveritar. Mediat e shkruara i janë referuar një debati në rrjetin social Facebook, të avokat Ngjelës dhe mikut të tij lidhur me këtë çështje. Ngjela mësohet të ketë thënë se përplasja me Edi Ramën është e pashmangshme. “Unë nuk kam bërë marrëveshje për të drejtuar shtetin, por për shtetin dhe kundër korrupsionit. Ti ndoshta nuk jeton këtu dhe nuk e di se gjithçka që po i bën të vuajë shqiptarët është korrupsioni. Heqja dorë nga posti i Drejtësisë, donte të thoshte për njerëzit se i kam hyrë rrugës së interesit material. Unë s’kam nevojë për një gjë të tillë. Shqipëria ka hyrë në një fenomen anti-korrupsion, të cilin edhe ti, sikurse edhe Rama, nuk e kuptoke dot. Fenomenet nuk komandohen, atyre je i detyruar t’u nënshtrohesh. Unë e kuptoj, ju nuk dëshironi një përplasje time me Ramën, se je tifoz, ndoshta. Është e pashmangshme. Dhe jo për fajin tim, por për ‘faj të fenomenit’”. Ngjela nuk ka komentuar emrat e ministrave të rinj, por është treguar skeptik lidhur me sjelljen e në pushtet të mazhorancës së re. “Unë s’kam bërë marrëveshje për interes, por për shtetin. Askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë me një parti të madhe, sikurse unë e kam bërë dy herë me të dyja partitë e mëdha. E para e bëri se donte të grabiste, për këtë tjetrën pritet ta shohim. Unë tjetër marrëveshje s’kam, se, personalisht nuk i kam këmbët në ujë dhe kurrë nuk mund të çedoj kundrejt abuzimit.
Vetë Edi Rama tha gjatë prezantimit të kabinetit qeveritar se avokat Ngjela nuk kishte rënë dakord me ofertën që Rama i kishte bërë për t’u përfshirë në kabinetin qeveritar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›