E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD ngec tek e vërteta

PD-ja zgjodhi kryesinë e saj, një ngjarje që duhet të kishte ndodhur kohë më parë. Asnjë nuk e kuptoi se ç’nevojë kishte ta bënte këtë gjë, ç’nevojë kishte kjo parti për një kryesi pas betejës së zgjedhjeve, ashtu sikundër askush nuk e ka kuptuar në thelb se çfarë i duhet PD-së Kuvendi, Këshilli Kombëtar; çfarë i duhen ata që drejtojnë degët, nëndegët, ata që janë tek rrënjët, çfarë i duhen vetë rrënjët, pra, përfundimisht, çfarë i duhen kësaj partie vetë anëtarët e thjeshtë të saj. PD-ja është mësuar të funksionojë pa struktura, pa autoritete të mandatuar, pra, në thelb, prej një kohe të gjatë që tani edhe nuk mbahet mend, PD-ja, ish-partia e shpresës, tani funksionon mbi bazë individësh, miqsh, të njohurish, servilësh, zvarritësish, “dumbabistësh”, të cilët nuk kanë nevojë për statut, nuk kanë nevojë për rregulla, por kanë nevojë për frymë, për frymën që del diku, nga një vend i largët, të cilin ata nuk e shohin, nuk e prekin, por i afrohen me nuhatje, me instinkt, me të gjitha shqisat që një krimbi i duhen për t’u ngjitur atje, në majë të pemës. Kryetari i PD-së në fjalën e tij para Këshillit Kombëtar numëroi sukseset elektorale të kësaj partie midis viteve 2005-2011, periudhë në të cilën Kuvendi i ri i PD-së është zgjedhur shumë kohë më vonë se ç’është parashikuar në statut, periudhë në të cilën PD-ja ka funksionuar për një kohë shumë të gjatë pa Këshillin Kombëtar, pa kryesi, pa nënkryetarë, pa sekretarë, pra, në thelb, pa struktura dhe pa autoritete. Mesazhi i dhënë nga kryetari i PD-së, intuitivisht, ndoshta dhe pa e ditur se po e jepte atë, ishte kristal i qartë: PD-ja, d.m.th, vetë kryetari i saj, mund të fitojë zgjedhjet, të çfarëdo natyre qofshin ato, të përgjithshme (2005, 2009) apo lokale (2007, 2011), pa strukturat e partisë, pa autoritetet e saj. Madje, meqenëse veçanërisht fitorja e fundit, ajo që “kishte si kurorë fitoren e Tiranës”, ishte “plebishitare”, qartësisht u artikulua se sa më pak të jetë PD-ja prezente, pra sa më i ulët të jetë profili i saj institucional, apo sa më shumë të mungojë Këshilli Kombëtar, sa më gjatë të mos ketë kryesi, as të vogël, dhe aq më shumë, as të madhe, aq më e sigurt do të jetë fitorja, aq më plebishitare do të jetë ajo. Akoma më shumë, edhe sikur strukturat dhe autoritetet e partisë të mos mungonin, por të ishin ekzistence, kushti që fitoret elektorale të jenë ashtu siç kanë qenë këto vitet e fundit do të duhet të ishte që ato, strukturat dhe autoritetet, të ishin sa më formale, pra sa më të ngrira, sa më të largëta, sa më pak pjesëmarrëse, për t’i lënë sa më shumë vend kryetarit, njerëzve të besuar të tij dhe tashmë së fundmi, për t’i lënë sa më shumë hapësirë koalicionit, njerëzve që i japin vota PD-së, pavarësisht se si arrijnë t’i marrin ato. Më duket se Partia Komuniste e dikurshme, apo grupe komuniste para formimit të saj, kanë qenë në një situatë të ngjashme, pra, në një situatë sektariste sipas së cilës partia duhet të ishte sa më pak e dukshme kur të kryente funksionet apo të plotësonte misionin e saj. Paradoksialisht kështu është edhe sot, megjithëse në rrethana krejt të tjera: partia fiton pa partinë, PD-ja nuk ka nevojë për PD-në që të fitojë.
* * *
Sa e vërtetë është fitorja e PD-së apo e aleancës së saj? Akoma më shumë: sa e moralshme është ajo? Këto janë pyetje që tragjikisht dhe për arsye të shumta janë gjithmonë aty, pas çdo fitore elektorale të shpallur nga kjo parti. Të jemi të qartë: PD-ja, me përjashtim të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1992 dhe zgjedhjeve lokale të vitit 1996, nuk ka fituar asnjëherë përballë PS-së, pra, megjithëse janë zhvilluar shumë zgjedhje në Shqipëri, PD-ja nuk ka mundur të marrë vota më shumë se PS-ja. Këtë nuk e thonë asnjëherë krerët e PD-së, por kjo është më pak e rëndësishmja. Për publikun ka shumë gjëra të tjera më të rëndësishme se kjo. Para së gjithash, ajo që i dhemb çdo qytetari është cilësia e fitores, e vërteta mbi të. A është kjo fitore e pistë apo e pastër. Pas njëzet vjetësh tranzicion, askush nuk mund të jetë i sigurt, që këto zgjedhje ishin të pastra. Tragjikisht. Kutitë e shqyera, të verifikuara si të tilla para syve të shqiptarëve në TV, vota që fluturojnë nga një qendër votimi te tjetra, rregulla që ndryshojnë gjatë rrugës, nuk të lejojnë të ëndërrosh për zgjedhje të pastra. Akoma më shumë, ka disa çështje të rënda që qëndrojnë pezull mbi kokat e shqiptarëve, dhe unë jam i bindur që po kaq pezull, po kaq rëndshëm, qëndrojnë edhe mbi kokat e demokratëve të thjeshtë. Si është e mundur që edhe pas daljes me bllok në dorë të kryetarit të LSI-së, parti kryesore aleate e PD-së që bëri në fakt edhe diferencën në këto zgjedhje, votat e qytetarëve të këtij vendi bëhen edhe më të shumta dhe kjo parti fiton një mbështetje popullore edhe më të madhe? Si është e mundur që edhe pas vrasjes së 26 vetëve në Gërdec, PR-ja dhe kryetari i saj, përgjegjës jo vetëm politikisht për ngjarjen, zgjerojnë mbështetjen te shqiptarët? Katër të vdekur në bulevard dhe PD fiton Tiranën!? Si është e mundur që Shkodra e përmbytur jo për shkak të fatkeqësisë natyrore, por për shkak të fatkeqësisë të të pasurit qeverisës të paaftë dhe në palcë të korruptuar, e zhytur jo vetëm në ujë por edhe në një mjerim që të ther në zemër, vazhdon të dëgjojë zonjën që e ka ndarë në kufij të dukshëm e të padukshëm, vazhdon të votojë për PD? Dhe kush pra, Shkodra, që mbante kokën lart edhe nën diktaturën më të egër në Evropë! Si është e mundur të votohet për këtë qeverisje edhe kur vërtetohet që i fali Greqisë territor shqiptar? Ka edhe me mijëra pyetje të tjera të kësaj natyre, pa përjashtuar drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, që në thelbin e tyre bashkojnë gjëra të pabashkueshme, absurde, përgjigjet e të cilave janë tejet të vështira, të rënda, por me një vlerë të jashtëzakonshme për të zbuluar të vërtetën. Sepse pyetjet mund të bëhen edhe në një mënyrë tjetër: si është e mundur, që shqiptarët jo vetëm pranojnë t’i vjedhin, t’i vrasin, t’i mbytin, por shumë më tepër se kaq: ata madje votojnë për vrasësit që t’i vrasin përsëri, votojnë për vjedhësit që t’i vjedhin përsëri, votojnë përsëri për mbytësit që t’ia ngrenë më shumë nivelin e ujit vitin tjetër. Kaq naivë, kaq të pa zhvilluar, përfundimisht, a jemi vërtet kaq budallenj ne shqiptarët?
* * *
I çliruar plotësisht nga pseudopatriotizmi apo ndonjë qëndrim idilik, mund të them se të qenit budalla apo naiv nuk është një ekzistencë që historia e provon te shqiptarët. Por po kaq e vërtetë është se shqiptarët e kanë pranuar lehtësisht të keqen, kanë bashkëjetuar me të pothuajse në krejt ekzistencën e tyre si të tillë. Duke lëvizur relativisht ngadalë në procesin e qytetërimit, dhe kjo jo vetëm për fajin e vetë shqiptarëve, midis kostos së lartë të ndarjes menjëherë nga e keqja, të luftës për jetë e vdekje me të, të sakrifikimit të një brezi për të siguruar lirinë për brezat që do të vijnë dhe pranimit të së keqes, bashkëjetesës me të, frikës së një brezi për t’u sakrifikuar për brezat që do të vijnë, shqiptarët kanë zgjedhur të dytën. Më mirë një tmerr pa fund se një fund i tmerrshëm! Këtë zgjedhje bënë në totalitarizmin e djeshëm, këtë zgjedhje kanë vendosur të bëjnë edhe në regjimin e sotëm të Tiranës. Shqiptarët bashkëjetuan me diktaturën sepse frika prej saj ishte më e fuqishme se dëshira për të qenë të lirë. Ata pranuan vrasjen, syrgjynosjen e komshiut, sepse pranuan që ajo ishte më e lehtë se vrasja apo syrgjynosja e tyre, megjithëse e dinin që të dyja ato, si vrasja ashtu dhe syrgjynosja, do t’i arrinin edhe ata një ditë. Ata pranuan të jetonin në tmerr, sepse kishin frikë t’i jepnin fund këtij tmerri. Ata pranuan të votonin edhe kur votën ia numëronin të tjerët. Pranuan të votojnë për vrasësit, që ata të vazhdojnë t’i vrasin. Ata pranuan të votojnë për ata që i urrenin, që i shfrytëzonin si skllevër, që i trajtonin si dele, për t’u urryer më shumë nesër, për t’u skllavëruar më shumë, për të blegëritur edhe më shumë nesër. E gjitha kjo, tragjikisht dhe për shkak të kohës së gjatë, është bërë pjesë e ADN-së sociale të qytetarëve të këtij vendi, formë përmes të cilës realizohet reagimi i tyre social. E keqja është edhe më e rëndë se kaq. Në vend që ta çlirojnë shqiptarin nga kjo frikë, qeveritarët e këtij vendi e kanë shndërruar atë, frikën e shqiptarit, në mjetin themelor qeverisës, në themelin e regjimit që kanë krijuar. Prandaj askush nuk beson që fitorja e zgjedhjeve të fundit, që është vështirë ta imagjinosh si të tillë, mbështetet te dashuria për lirinë, te programet e zhvillimit, te anëtarësimi në NATO, te liberalizimi i vizave. Fitorja deledash e zgjedhjeve të fundit mbështetet te frika që kjo qeveri kultivon me sukses tragjik në shpirtin e qytetarëve të këtij vendi, te frika se i largon nga puna, te frika se nuk i fut në punë, te frika se i lë pa bukë, te frika se i lë pa drita, te frika se i lë pa ujë, te frika se nuk mbijetojnë dot. Mbështetet te regjimi, jo te liria.
* * *
Shkoni një ditë në një departament universiteti, në një zyrë të administratës së kësaj qeverie, në një zyrë të administratës lokale, në një shkollë, në një spital, pra, shkoni një ditë në një vend ku njerëzit paguhen nga kjo qeveri dhe ndiqni me kujdes sjelljen e tyre. Veç e veç do të të thonë shumë gjëra. Do të të thonë se punët nuk shkojnë fare mirë, se qeveritarët dhe drejtori vjedh, se megjithëse bënë gjithçka për partinë e tyre, befas erdhi partia tjetër e koalicionit dhe ia mori vendin e punës, se të paaftët kanë zënë vendet kyçe, se ata nuk kanë një mik të fuqishëm, madje nuk kanë as para të mjaftueshme, pa e dinin se çfarë do të bënin. Dhe ndërsa flasin me ty shohin vazhdimisht rrotull, mos i dëgjon njeri, me sy jo të hapur, por të zgurdulluar, dhe zërin e ulin dhe e ngrenë si të kishin regjistruar një reostat në kordat brenda fytit të tyre dhe që automatikisht forcon apo dobëson zërin në varësi nga lëvizja e siluetave rreth e rrotull. S’kisha ç’të bëja, vazhdon personi, bëra edhe fushatë për ca shkërdhata, dhe prapë, të tjerë fituan pozitë më të mirë se unë. Madje u detyrova edhe të votoj për ta, imagjinoje. Dhe prapë rrotullon kokën duke bërë sikur sapo ka thënë një shaka të kripur dhe fton edhe të tjerët të qeshin. Pastaj bashkohen dhe nuk janë më ata që ishin veç e veç. Fillojnë dhe shajnë partinë tjetër, rrezatojnë devotshmëri për PD-në, dhe kërcënojnë se do të fitojnë prapë nesër, dhe jo vetëm nesër, por gjithmonë. Shefi shpërndan buzëqeshje dhe bëhet gati të shkruajë raportin në darkë, të lajmërojë të mëdhenjtë për secilin, me kë rrinë, çfarë thonë. Shuma e raportimeve të darkës fillon e formon biografinë, e cila nuk është zhdukur, është aty, te zyrat e kësaj qeverisje, të çdo niveli. CV-të janë tjetër gjë, ato janë gjasme, janë sa për t’u raportuar të huajve se edhe ky standard është plotësuar. E vërteta është biografia, morali copë-copë, shpirti i ndrydhur, përjashtimi, mediokriteti, dhe mbi të gjitha, frika. Vetëm dekori ndryshon me totalitarizmin. Frika mbetet po ajo, si atëherë, njësoj sunduese, që shpjegon çdo gjë, mbi të gjitha të vërtetën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›