E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vorpsi Rama shmang transparencen nuk mban premtimin

Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se po i fshihet dhe po shmang prej disa javësh transparencën për një seri aferash të tij korruptive personale dhe familjare. Në një deklaratë për mediat zëdhënsja e kësaj force politike Laura Vorpsi shprehet se Rama nuk po mban premtimin e tij publik për të zbardhur aferat e tij.

“Unë jam sot këtu për t’i bërë thirrje zotit Rama t’i tregojë publikut çmimin e vërtetë të blerjes së vilës së tij 8 mijë metër katrorë në tokë, në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë, jo 2 dollarë siç e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 22 e më shumë dollarë, çmime shitjeje këto të regjistruara në dokumenta zyrtare.

Çmimi prej 2 mijë lekësh apo 2 dollarësh, apo 1,3 euro që ju keni deklaruar, është qesharak dhe nuk egziston askund në periferinë e Tiranës, prandaj ju bëjmë thirrje ti thoni publikut çfarë fshihet prapa këtij çmimi, shmangia e detyrimit tatimor të shumës së vërtetë të përdorur për blerjen e tokës apo origjina jo e pastër e parave të përdorura për këtë qëllim”- deklaroi Vorpsi.

Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama të paraqesë para publikut të gjitha dokumentat zyrtare bankare, tatimore dhe faturat e paguara, firmës së ndërtimit për 1 milion euro investim në pallatin 5 katësh me sipërfaqe ndërtimi 900 metër katrorë me investitorë dhe pronarë kunatin e shokut Rama të vetëpunësuar, dhe xhaxhain e tij pensionist.

“Partia Demokratike i kujton zotit Rama se fshehja ndaj publikut të burimit të financimit prej 1 milion euro të pallatit në pajë, akuzon për origjinë jo të pastër të këtyre parave familjare.

Ai pallat nuk mund të futet në kasafortën e Partisë Socialiste”- vijoi ajo.

Partia Demokratike i bën thirrje zotit Rama të zbardhë me dokumenta zyrtare siç kërkon ligji i deklarimit të pasurive, origjinën e 100 milionë lekëve kredi pa interes të gruas së tij dhënë motrës së saj.

“Heshtja juaj familjare për këto çështje zoti Rama, flet vetë, madje shumë më tepër nga çmendoni ju”- tha zëdhënësja e selsië blu.

Së fundi, Partia Demokratike i deklaron zotit Rama se dy lejet e ndërtimit dhënë gruas së tij për ndërtimin e pallatit në pajë në sheshin e pallateve në konflikt të hapur interesi dhe shkelje të nenit 62 të Ligjit të Urbanistikës dhe anulimi i lejes së ndërtimit në faqen kallkan të pallateve po aty, dëshmojnë standartet më të ulta të punës së një zyrtari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›