E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit, komisar Musa Skura

25-01-2013 / Gazeta 55

Mes dhimbjes dhe lotëve, iu dha dje lamtumira e fundit Shefit të Krimeve të Burrelit, Musa Skura i cili ndërroi jetë 3 ditë më parë në spitalin e Foggias, në Itali, pas plagëve të marra në operacionin për arrestimin e anëtarëve të një bande të trafikut të armëve. Miq, të afërm, familjarë, krerë të lartë të shtetit dhe drejtues të policisë, kanë zhvilluar homazhe para arkivolit me trupin e pajetë, ndërsa kanë përcjellë mesazhe për ashpërsimin e luftës kundër krimit dhe forcimin e masave ligjore për këdo që qëllon mbi uniformat blu. Ish komisari Musa Skura u preh në “Varrezat e Dëshmorëve”

 
“Lamtumirë i shtrenjti dhe i paharruari ynë”, me këto fjalë është përcjellë në banesën e fundit në “Varrezat e Dëshmorëve” komisari i Burrelit, Musa Skura. Pas ceremonisë së homazheve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë ku morën pjesë personalitetet më të larta të vendit si kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, krerë të partive politike dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, trupi i tij i mbuluar nga flamuri kuq e zi u përcoll për në banesën e fundit, në “Varrezat e Dëshmorëve”. Vëllai i Musa Skurës pas falënderimeve të rastit, u shpreh se “ai tani nuk do njihet më vetëm vëllai i tij, por si djali i të gjithë Matit”. “Na la krenarinë, kujtimi i Musait do jetë me ne përjetë”, tha ai. Banda frymore përcolli nota funebre për të krijuar solemnitetin e nevojshëm, të shoqëruara në fund me të shtëna topi për të krijuar nderimin e duhur për një dëshmor. Shefi i krimeve të Burrelit mbeti i plagosur javën e kaluar, gjatë një operacioni për arrestimin e një banke kriminale të cilët po trafikonin armë dhe municione luftarake. Në aksion e sipër, anëtarët e bandës kanë shkëmbyer zjarr me efektivat blu të Burrelit, ku për pasojë u plagos me 1 plumb në gjoks dhe 2 të tjerë në trup 57-vjeçari, shef i krimeve të Matit, Musa Skura. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe njëri prej anëtarëve të bandës, Fitim Alla. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale Burrel-Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit. Pak orë pas ngjarjes, forcat policore arrestuan Allën, si dhe Vilson Milkurtin.
Shefi i krimeve të policisë së Burreli u dërgua me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai iu nënshtrua një operacioni që zgjati rreth 6 orë dhe më pas u transportua në spitalin “Padre Pio”, të Foxhias në Itali me një avion të posaçëm. Por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, Skura kaloi në gjendje kome dhe nuk arriti ta fitonte betejën me vdekjen. Musa Skura punonte pranë Policisë së Shtetit prej rreth 30 vjetësh, ndërsa prej gjashtë vjetësh ishte emëruar në pozicionin e shefit të krimeve. Ngjarjet e fundit kriminale s’kanë kursyer as jetën e uniformave blu. Pas vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj nga një i shumëkërkuar i drejtësisë, Ilir Xhakja dhe ngjarja e fundit me pasojë vrasjen e shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura mbetet domosdoshmëri jo vetëm forcimi i sistemit të drejtësisë, por edhe ashpërsimi i masave ligjore ndaj botës së krimit, plumbat e të cilëve nuk kursejnë as efektivët e policisë

 
Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj

“Musa Skura, simbol i vlerave morale dhe njerëzore”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha në ceremoninë mortore të Shefit të Krimeve të Burrelit, Musa Skura, në “Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut”, se “Komisar Skura është simbol i vlerave morale dhe njerëzore”. Duke vlerësuar figurën e Musa Skurës, Burgaj theksoi se “ky hero nuk rreshti 28 vjet duke punuar për të mbrojtur qytetarët e vendit të tij”. “Të gjithë jemi krenarë për jetën dhe veprën e Dëshmorit të Atdheut, Musa Skura, i cili do të prehet aty ku prehen edhe heronjtë e tjerë të demokracisë”, tha Burgaj.

 

Kush ishte komisar Musa Skura

“Dëshmori i Atdheut” Musa Skura, u lind më 17 Korrik të vitit 1963, në fshatin Suç të Komunës me të njëjtin emër. Pasi kreu arsimin e mesëm, ai u fut në radhët e Policisë së Shtetit në vitin 1982, ku sapo nisi karrierën në këtë profesion. Familjarët e tij tregojnë dashurinë që kishte Komisari për detyrën në policinë e shtetit. Gjatë karrierës së tij me uniformën blu, Komisar Musa Skura, mori disa grada me arritjet në punën e tij. Në vitet 1997 - 2001, komisar Musai do të mbaronte Arsimin e Lartë, të cilin e ndërpreu për shkak të veshjes së uniformës me mbarimin e shkollës së mesme. Ai studioi për Specialist i Lartë Policie, gjë e cila i shërbeu edhe më shumë në profesionalizmin e tij në luftë me shkelësit e ligjit. Mat Televizion ruan në arkivin e tij dhe një ndër aksionet e policisë së shtetit për mbledhjen e armëve, ku bie në sy profesionalizmi i komisar Musa Skurës, në kryerjen e detyrës së ngarkuar. Nga viti 2003 e deri në vitin 2006, Musa Skura do të merrte titullin ASISTENT, K/ASISTENT dhe N/INSPEKTOR. Më 18 Qershor 2006, ai do të merrte gradën e nën komisarit, gradë të cilën ai e mbajti deri më 07 Prill 2010, ku mori gradën e Komisarit. Puna e Komisar Musa Skurës, nuk ishte e përqendruar vetëm në komisariatin e Matit, por ai shërbeu edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër, në Postën e Policisë Klos, si dhe inspektor i disa zonave në rrethin e Matit.

 
Ilir Meta, kreu i LSI-së

“Burg përjetë kujtdo që ngre dorën mbi policët”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi dje gjatë homazheve të kryera në nderim të Dëshmorit të Atdheut, Musa Skura, se “do të kërkojmë një ashpërsim të kodit penal në mënyrë që të gjithë ata që ngrenë dorën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe punonjësve të shtetit, të dënohen më burgim të përjetshëm”. Në një prononcim për mediat, kryetari i LSI-së, Meta, theksoi se krimi përsëri ka goditur shtetin, ka marrë jetën e një punonjësi shembullor dhe në këtë mënyrë ka bërë një sfidë, të cilës ne duhet t’i përgjigjemi jo vetëm me këtë solidaritet njerëzor. “Ne duhet të marrim masa të forta e konkrete për forcimin e ligjit për goditjen e krimit në mënyrë që askush të mos e marrë lehtë për të goditur Policinë e Shtetit, punonjësit e shtetit, aq më tepër për tu marrë jetën atyre. Ne do të propozojmë një ashpërsim të kodit penal, një saktësim të tij, pasi ka toleranca mjaft abuzive në ligj dhe ne do të propozojmë që të gjithë ata që ngrenë dorën ndaj punonjësve të Policisë dhe punonjësve të shtetit për ta të ketë vetëm një burgim, burgim të përjetshëm”, tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›