PD nuk është kundër Bujar Leskajt. Disa deputetë janë gati të votojnë hapur pro tij
Partia Demokratike nuk ka një qëndrim zyrtar të vendosur kundër kandidaturës së Bujar Leskajt për kryetar të Kontrollit të Shtetit. Burime të rezervuara nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike bëjnë të ditur se zoti Leskaj nuk është një figurë që ia vlen të kundërshtohet zyrtarisht, pasi është ende pjesëtar aktiv i forumeve të PD-së dhe deputet në pritje i listës së Qarkut të Vlorës. Ky qëndrim reflektohet më hapur dhe tek disa deputetë të tjerë të PD-së, të cilët shprehen hapur se do të votojnë pro tij. Një tjetër faktor pozitiv në krah të tij është mbështetja që ka nga botuesi i gazetës 55, Fahri Balliu, i cili njihet si mik i afërt i tij dhe që po lobon me pjesën e LSI dhe disa deputetë të PD-së të deklarojnë votën pro Leskajt.
Teza me të cilën Leskaj po përpiqet të marrë mbështetjen e PD-së është garancia që sipas tij i ka dhënë Presidentit Topi se do ti marrë votat e PD-së në rast se ai e kandidon, pasi të djegin kandidaturën e Sali Shehut. Nervozizmi i PD-së ndaj Sali Shehut është shumë më i madh se ndaj Leskajt. Leskaj u shfaq në pranverën e vitit 2007 si mbështetës i Topit, kur Berisha e hoqi nga Ministër, por më pas reflektoi dhe qëndroi pranë PD-së.
Po ashtu grupi i zonjës Topalli e mbështet kandidaturën e Leskajt dhe nuk ka prirje të jetë agresivë me të. I vetmi problem është si të tejkalojnë faktin që Topi e ka propozuar atë pa konsultime. Për këtë Leskaj po këmbëngul se ka qenë zgjedhja e tij, me qëllim që të merrte firmën e Topit.
Deklarimet e para hezituese ndaj tij vijnë nga burime larg Berishës dhe nga grupi i Bashës dhe grupi i TV Klanit, të cilët janë kundër tij. Frangaj dhe Zamir Mane kanë qenë kundërshtarë të ashpër të tij qysh në vitin 2007. Frangaj, pasi nuk ka marrë dot sponsorizime nga Ministria e Kulturës, dhe Mane për shkak të një ndërtimi pa leje mbi tarracën e pallatit ku banon zoti Leskaj.