PD, pro zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT nga Kryeministri, PS kundër
Ndryshimet në ligjin për Statistikat Zyrtare, debat në Komisionin e Ligjeve
Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dje projektligjin për disa ndryshime në ligjin për Statistikat Zyrtare. Por diskutimet për ndryshimet në ligjin për Statistikat kanë sjellë jo pak debat mes anëtarëve të këtij komisioni. Deputetët demokratë janë pro propozimit që parashikon mandat 5 vjeçar për Drejtorin e Përgjithshme dhe emërimi i tij të bëhet nga Kryeministri.
Por ligjvënësit socialistë kanë kundërshtuar një variant të tillë, duke insistuar që INSTAT të jetë një institucion që të varet nga Kuvendi dhe jo nga Kryeministri.
Përkundrejt një pretendimi të tillë, përfaqësuesit e ISNTAT në komision janë shprehur se pavarësisht sulmeve të opozitës, ky institucion është krejtësisht i pavarur dhe i tillë do të vijojë të jetë pavarësisht ndryshimeve në ligj.
Për më tepër që, sipas tyre, këto ndryshime janë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Në fund të diskutimeve mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj ndryshimet në ligjin për Statistikat Zyrtare.
Ligji aktual “Për statistikat zyrtare”, i miratuar në vitin 2004, tashmë do të pësojë disa shtesa dhe ndryshime. Në një draft me 16 nene propozohen një sërë ndryshimesh, duke filluar që nga emërtesa e kreut të INSTAT, që nuk do të jetë më “Drejtor i Përgjithshëm”, por “Titullar i INSTAT”-it.
Ligji i ri parashikon që për të siguruar besueshmërinë e publikut në statistikat zyrtare, INSTAT-i dhe agjencitë statistikore duhet të udhëhiqen nga parimet e Kodit të Praktikës së Statistikave Europiane.
Organizimi dhe zbatimi i programit duhet të udhëhiqet nga disa parime si cilësia statistikore, rëndësia, saktësia, koha, përpikëria, krahasueshmëria e të dhënave, etj.
Në ligjin e ri INSTAT-i përkufizohet si “prodhuesi kryesor i statistikave zyrtare në Republikën e Shqipërisë dhe institucioni përgjegjës për koordinimin e funksionimin e Sistemit Kombëtar Statistikor”.
Një pikë e rëndësishme e ligjit është struktura organizative e INSTAT-it, e cila miratohet me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të Këshillit të Statistikave.
Titullari i INSTAT-it emërohet nga Kryeministri, pas kryerjes së një procedure publike rekrutimi nga Këshilli i Statistikave. Mënyra e kryerjes së kësaj procedure, afatet e njoftimit dhe kriteret për vlerësimin e kandidatëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sanksionohet në projektligjin e paraqitur për miratim në Kuvend nga qeveria.