E Enjte, 5 Nëntor 2026

PD publikon emrat e delegatëve të Kuvendit

Partia Demokratike publikoi sot emrat e 5004 anëtarëve të Partisë Demokratike që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se “Gjatë gjithë kësaj rrëmuje te krijuar në PD, standardi ynë ka qenë transparenca. Transparencë për shumicën absolute të mbështetjes dhe zgjedhjes së të ardhmes nga Kryesia e partisë. Transparencë e plotë për shumicën absolute të anëtarëve të Këshillit Kombëtar që gjithashtu zgjedhin të ardhmen dhe kanë lënë pas të shkuarën. Dhe sot është radha të bëjmë transparencë për shumicën absolute të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që gjithashtu zgjodhën këtë të shtunë të ardhmen, dhe lanë pas të shkuarën”, tha Bardhi.

Bardhi tha se “edhe pse nuk ka qenë në traditë të PD që të publikohen emrat e pjesëmarrësve të Kuvendit Kombëtar të PD, pikërisht për t’ i shkuar transparencës deri në fund, ne publikojmë listën e plotë të anëtarëve të Kuvendit”.

Bardhi tha se “tollovia e këtyre muajve në PD nuk u shërben demokratëve dhe PD-së”. “Çdo institucion i PD-së ka folur. Kryesia, Këshilli, Kuvendi. Kemi detyrimin t’i bindemi institucioneve të partisë. Prandaj të fokusohemi në betejën me Edi Ramën. Nga ana tjetër u premtua transparencë prej Berishës, por gazetarët nuk u lejuan as të futeshin në stadium. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo. Nuk u lejuan sepse në stadium do të gjenit kandidatë të Jozefina Topallit te futur si delegatë, njerëz të Tom Doshit të futur si delegatë”, tha Bardhi.

Ndërkohë, ai theksoi se “për të ashtuquajturin referendum nuk ka asnjë të dhënë se kush ka votuar dhe si ka votuar”.

“Mund t’ju them se ka votuar një kryetar i LSI në Qarkun e Fierit. Partia ka rregulla të qarta në statut kush quhet anëtar”, tha ai. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›