E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR, Garuli: PS po lë 40% të shqiptarëve të papërfaqësuar



Partia Republikane reagoi dje për bojkotin e opozitës, duke e cilësuar si të pajustifikuar, si dhe në dëm të qytetarëve shqiptarë, që sipas kësaj force politike, nuk po përfaqësohen në Kuvend. Nëpërmjet një konference për shtyp, nënkryetari i PR-së, Aleksandër Garuli, deklaroi se mendimi ndryshe nuk po përfaqësohet në Kuvend. “Mungesa e përfaqësimit të këtyre votuesve në Parlament është abuzimi më i madh që mund të bëhet me votën e tyre. Kjo do të thotë që në emër të mbrojtjes së votës, t’u mohosh votën rreth 40% të shqiptarëve, të cilët votuan për një alternativë ndryshe, që nuk e shohin të përfaqësuar”, - tha Garuli. Sipas tij, kërkesa e PS-së për të hapur kutitë e votimit është një lojë pa argument dhe që po fyen qytetarët që votuan për opozitën. “Loja me kutitë, tashmë është një lojë e vjetruar. Thirrja “hapni kutitë” mbetet një thirrje në erë. Kush duhet t’i hapë kutitë? Cilat kuti duhen hapur? Çfarë argumentesh ka për çdo kuti që duhet hapur? Ndërkohë që vetë komisionerët e PS-së votuan unanimisht për mbylljen e këtyre kutive. Këto thirrje pa adresë dhe pa argument i ngjasojnë një lëvizjeje revolucionare që kërkon që shteti të funksionojë në rrugë. Këto thirrje nga rruga, kaq të paargumentuara, që u drejtohen shqiptareve, i fyejnë ata në qytetarinë e tyre”, - deklaroi më tej Garuli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›