E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Jam i barabartë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, është shprehuri i bindur se në takimin e nivelit të lartë BE - Ballkani Perëndimor do të trajtohet njësoj sikur kolegët e tij.

Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian, njëra nga organizatoret e Takimit të Sarajevë, ka dërguar një ftesë për pjesëmarrje në këtë takim, e cila i është përcjellë Ministrisë së Jashtme të Kosovës nga Zyra e Komisionit Europian në Prishtinë.

Në ftesë nuk përmendet askund emri i Ministrit Hyseni e as Ministria e Jashtme.

Kryediplomati i Kosovës, në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, ka thënë se ftesa të ngjashme kanë marrë edhe pjesëmarrësit tjerë.

“Ftesa është e njëjta që u ka shkuar të gjithëve, mbase është fotokopje. Jam interesuar për këtë pasi kam bërë përpjekje që të mos lë asnjë detaj pa qartësuar deri në fund”, ka thënë Hyseni.

Shefi i Diplomacisë kosovare ka thënë se ka marrë garanci nga zyrtarët e lartë europianë se ai do të trajtohet i barabartë në takimin e Sarajevës.

“Një nga insistimet me Ministrin Frattini në Prishtinë, me të cilin po ashtu kemi pasur kontakte të shumta në telefon, me Ministrin Kouchner në Paris, Komisarin Fule dhe kemi rënë dakord që të aplikohet formati i Gymnich. Një gjë mund t’ju siguroj se Kosovën nuk mund ta përfaqësojë më askush dhe askush nuk mund të flasë në emër të saj. Dhe, edhe në këtë konferencë, Kosova do të trajtohet sipas marrëveshjes që është arritur”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se, ndër të tjera, në këtë takim do të shtrojë kërkesën eksplicite që Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave.
Kosova tashmë është përfaqësuar në disa takime të Bashkimit Europian, ku ka qenë pjesëmarrëse edhe Serbia. Njëra nga to është edhe një takim në Çeki. Në këtë takim po ashtu kishte marrë pjesë Ministri Hyseni. Ai ka shpjeguar disa detaje të takimit në Pragë.

“Unë kam garanci nga qarqe shumë serioze. Prandaj nuk do të merrem me spekulime. Formati Gymnich, që është aplikuar në Pragë vitin e kaluar, do të aplikohet edhe në Sarajevë. Ai format ka qenë kësisoj: Kryesuesi - ish-ministri çek u ka dhënë fjalën ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor duke i ftuar me emra, madje duke i ftuar sipas një renditjeje alfabetike të vendeve pjesëmarrëse”, ka shpjeguar Hyseni.

Ditëve të fundit është përfolur mundësia se kryesuesi i takimit në Sarajevë, Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, do t’ia japë fjalën vetëm Shefit të UNMIK’ut, Lamberto Zannier, e ky i fundit Ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Spanja nuk njeh pavarësinë e Kosovës e as që ka komunikuar gjatë presidencës së saj me autoritetet kosovare.

Hyseni hedh poshtë këtë mundësi. “Absolutisht Kosova nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë të marrë fjalën nga askush tjetër përpos nga kryesuesi i takimit”, ka thënë ai.

E nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Ministri Hyseni ka thënë se do të reagojë në mënyrë të duhur dhe duke respektuar vullnetin e popullit, pa dhënë detaje tjera.
Ministri Hyseni ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë nëse nga takimi në Sarajevë do të dalë edhe një deklaratë e përbashkët. Ai ka thënë se nëse do të ketë një deklaratë “ose do të përmenden të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose s’do të përmendet asnjë”.

Hyseni para Sarajevës do të qëndrojë në Nicë, ku do të marrë pjesë në Samitin Francë-Afrikë ose vendet e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, i cili do të udhëtojë të premten drejt Francës, ka thënë se do ta shfrytëzojë këtë takim për të takuar homologë të tij, duke përmendur se në këtë takim do të marrin pjesë rreth 20 ministra nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën.

Diplomati kosovar ka komentuar edhe për aktivitetet e fundit në fushën e lobimit, duke thënë se intensifikimi i këtyre aktiviteteve ka të bëjë me procesin në GJND.
Ai nuk ka mundur të thotë se kur gjykata do të nxjerrë mendimin rreth ligjshmërisë së pavarësisë, por ka treguar se së voni ka pasur një takim me përfaqësuesin ligjor të Kosovës, avokatin Michael Wood.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›