PD tërhiqet, moratoriumi i skafeve rikthehet për diskutim

Mazhoranca parlamentare tërhiqet nga qëndimi fillestar për moratoriumin e skafeve madje shkon më tej duke paraqitur amendamente pothuajse të njehsuara me iniciativën e PS-së, duke paralajmëruar kështu një konsensus të paktën për jahtet dhe skafet.
Në fjalën e tij, kreu i grupit të PS-së Gramoz Ruçi theksoi se mazhoranca nuk ka kuorumin për të vijuar seancën plenare prandaj ka hequr edhe nismën e opozitës.
“Rendi i ditës kishte të bënte me dy amendime. Ju keni hequr nismën e opozitës pavarësisht se jemi pro të gjitha procedurave. Nëse nisma e deputetëve është kështu siç thoni ju rregullorja duhet të ishte depozituar 24 orë më parë. Nëse kryetari i grupit të maxhorancës kishte kundërshtime duhet ta bënte në seancë. Pra të gjitha këto nuk janë shkaqe. Kjo është një shkelje proceduriale. Nisma e opozitës është hequr për arsye të tjera politike. Sot mazhoanca s`ka kuorumin për të vijuar seancën prandaj dhe është hequr nisma e opozitësDo ju kërkoj siç keni premtuar ditën e parë që keni thënë se do ishin garante dhe avokatja e opozitës, të jeni e tillë.” shtoi Ruçi.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetit demokrat Edi Paloka i cili ka theksuar se ka amendamente të tjera për nismën e PS-së për moratoriumin të cilat duhet të kalojnë më parë në komisionin e ligjeve.
“Ne e kemi hedhur poshtë në komisionin e ligjeve këtë nisëm duke dhënë edhe argumentat, por janë paraqitur edhe disa rekomandime nga disa deputetë të cilët kërkojnë një lloj zbutje të moratoriumit prandaj dhe vendosëm që amendamentet të kalojnë tek komisioni i ligjeve përpare se të kalojë në seancë” shtoi Paloka.
Më pas ka reaguar kryeparlamentarja Topalli e cila ka thënë se ajo mbetet avokate e opozitës. "Siç ju kam premtuar ditën e parë, sa të jem kryetare e Parlamentit unë jam avokatja juaj, do ndihesha e fyer nëse do mendonit të kundërtën". Ju e dini këtë po s`doni ta pranoni" tha Topalli.
Po ashtu gjatë seancës plenare u miratua marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë kundrejt Republikës së Kroacisë.