Haxhinasto në Vjenë, takohet me Zannier e Spindelegger
Në kuadër të vizitës së tij në Vjenë, ku do të marrë pjesë në Sesionin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto pati një takim me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier.
Në këtë takim Zanieri i përcolli Haxhinastos përgëzimet për zgjedhjen e Presidentit të ri. Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm u takua gjithashtu edhe zv.kancelarin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Michael Spindelegger.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim gjatë diskutimeve, për rritje të investimeve austriake në Shqipëri. Krahas kësaj Haxhinasto dhe Spindelegger diskutuan edhe rreth bashkëpunimit dypalësh, integrimit në BE dhe rreth situatës në terësi të rajonit.
Kjo është hera e dytë që Haxhinasto merr pjesë në Sesionin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, por tanimë në pozicionin e kryetarit të KiE, ku do të mbajë edhe një fjalim për delegacionet pjesëmarrëse të Këshillit të Përhershëm, duke parashtruar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të KiE-së.
Ministri i Jashtëm, Haxhinasto pritet të shprehë qëndrimin e tij mbi çështjen e forcimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet KiE-së dhe OSBE-së, si dhe të ndihmës që këto dy organizata mund të ofrojnë për fqinjët dhe partnerët në rajonin e Mesdheut, në drejtim të përballimit me sfidat aktuale dhe afatgjata të tranzicionit të tyre demokratik.
Haxhinasto gjithashtu do të marrë pjesë edhe në Koncertin e organizuar nga misioni ynë në OSBE, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.