E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi e karburanti falimentojnë peshkimin

Nga Artur Korriku
Rrënimi i peshkimit po sjell varfërim të tejskajshëm tek qindra familje të lidhura me këtë biznes. Nga 100 grupe peshkatarësh që ishin në vitin 2000, sot numërohen rreth 60. Shkak moratoriumi dhe çmimi i lartë i karburantit. 

DURRES Moratoriumi i skafeve dhe çmimi i lartë i karburantit po çon drejt rrënimit të plotë biznesin e peshkimit në Durrës. Pas shpalljes së ligjit për skafet, shteti lejoi përdorimin e motorëve deri 25 kuaj fuqi, duke detyruar peshkatarët të përdorin vetëm varkat me rrema. Por për shkak të çmimit të lartë të benzolit me të cilin ato vihen në punë, pothuajse asnjëri prej tyre nuk i përdor motorët. Tjetër shkak që i detyron peshkatarët të punojnë me varka me rrema është shmangia nga taksa që shkon rreth 100 mijë lekë në vit. Për këtë ata preferojnë të mos pajisen me leje për përdorimin e mjeteve motorike detare, por të punojnë me rrema si qëmoti duke rrezikuar kështu dhe jetën. Aktualisht, nga 100 grupe peshkatarësh të kësaj kategorie që ishin në vitin 2000, sot numërohen rreth 60.
PESHKIMI
Historikisht në Durrës peshkimi është ndarë në dy pjesë. Një pjesë që peshkon me anije të mëdha dhe një pjesë tjetër që gjuan me mjete të vogla deri 5 milje larg detit. Kjo traditë nuk u prish as gjatë kohës së monizmit. Në vitin 2000, përgjatë vijës bregdetare, Gjiu i Lalësit-Derdhja e Përroit të Agait numëroheshin 100 grupe peshkatarësh. Secili përbëhej nga 6 deri 8 peshkatarë, të cilët kishin në përdorim 2 deri 3 mjete motorike si dhe disa qindra metra rrjeta peshkimi. Sot pas 8 vjetësh numërohen 60 grupe peshkimi, por më të reduktuara si në njerëz ashtu dhe në mjete. Për shkak se benzoli kushton 150 lekë litri, pothuajse të gjithë peshkojnë me varka me rrema. Gjuetia me rrema i ka marrë jetën 8 peshkatarëve gjatë 2 viteve të fundit. Ata dolën për gjah dhe nuk u kthyen më në tokë për shkak të fortunaleve detare. Disa të tjerë humbën jetën, pasi pa pyetur për kohën e keqe u futën në ujë për të shpëtuar rrjetat e hedhura më parë nga deti i trazuar, i cili i nxjerr ato jashtë përdorimit.
HISTORIA
Goditjen e parë kjo kategori e sektorit të peshkimit e mori fill pas shpalljes së moratoriumit, i cili ndalonte në mënyrë kategorike daljen në det të mjeteve motorike. Peshkatarët u detyruan për një kohë të gjatë të dilnin për gjueti me goma makinash apo me mjete të tjera të improvizuara. Më pas situata u liberalizua disi dhe ata u lejuan të peshkonin me varka, por pa motorë. Por edhe kjo teknikë nuk ishte produktive. Një vit më vonë u lejua përdorimi i motorëve me fuqi të vogël deri 25 kuaj fuqi. Por kjo periudhë përkoi me taksimin e këtij aktiviteti si dhe me rritjen e çmimit të karburantit. Për të dhënë lejet e përdorimit të varkave me motor, autoritetet policore kërkojnë prej peshkatarëve faturat e pagesave të taksave dhe licencat e peshkimit. Këto pagesa arrijnë shifrën e 100 mijë lekëve në vit. Në këto kushte, peshkatarët preferojnë të kategorizohen sikur të ishin amatorë, për të cilët peshkimi trajtohet në formën e sportit dhe me ligj nuk taksohet. Të tillë konsiderohen të gjithë ata që gjuajnë me varka me rrema, me pedalone, me grepa apo me pushkë deti. Shtyrja e moratoriumit edhe për një periudhë tjetër kohe nuk ka ngjallur ndonjë reagim prej kësaj kategorie, pasi për ta peshkimi ka marrë tatëpjetën. Rrënimi i peshkimit po sjell varfërim të tejskajshëm tek qindra familje të lidhura me këtë biznes. Ata i kërkojnë qeverisë heqjen e ligjit të skafeve, që do të rikthente mundësitë për punë e mbijetesë të tyre.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›