Policët nuk dine t'i përdorin armët

Konkluzioni është arritur nga specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi janë kryer ushtrime qitjeje në periudha të ndryshme kohe të njësive të ndryshme policore në të gjithë vendin.
Madje, kjo ka sjellë edhe reagimin e drejtuesve të policisë, të cilët kanë kërkuar të hartohen programe të reja për kontrollin e tyre dhe të ndërtohen urgjentisht poligone qitjeje, që mungojnë totalisht.
Evidentimi i skandalit
Specialistët e policisë tregojnë se odiseja e këtij skandali të rëndë ka nisur rreth dy vite më parë. Pavarësisht se janë bërë vërejtje herë pas here, problemet mbeten pothuajse të njëjta.
Gjatë një seance stërvitore të përgatitur nga krerët e policisë, specialistë të trajnimeve kanë organizuar kontroll në “poligonet” e improvizuar në periferi të kryeqytetit. Por, gjatë këtij inspektimi është vënë re një joprofesionalizëm skandaloz, duke nisur nga papërgjegjshmëria e punonjësve të policisë për kujdesin ndaj armës, deri te përgatitja tejet e dobët profesionale e tyre gjatë qitjes.
Madje, shumë punonjës policie nuk janë paraqitur fare në testim. Për këtë problem,specialistët kanë lënë një sërë detyrash për eprorët përkatës, por ato nuk janë zbatuar asnjëherë.
Madje, në vitin 2007 policia ka bërë vetëm një seancë qitje me pistoletë, ku nuk merrnin pjesë të gjithë efektivët e saj. Kjo situatë është konstatuar në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe, duke thelluar më tej përmasat e këtij
fenomeni skandaloz.
Amatorizmi me armën
Në raportet e përgatitura pas ushtrimeve me qitje, specialistët-kontrollorë kanë ngritur një sërë shqetësimesh për administrimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e armatimit personal nga punonjësit e policisë.
Burimet shpjegojnë se në ato pak raste seanca qitjesh, një pjesë e uniformave blu, e sidomos ato femra, nuk kishin marrë as pistoletën e tyre me vete.
Dhe kjo, sipas disa urdhëresave të brendshme për zhvillimin e testimit, të cilat përcaktonin që qitja të bëhej me armën personale të secilit punonjës.
Gjithashtu, një pjesë dërmuese e efektivit nuk ka marrë pjesë në këto qitje dhe më së shumti pjesëtarë të shërbimeve mbështetëse dhe nga seksioni i pasaportave.